FLASH :

Trump shpall armëpushimin mes Iranit dhe Izraelit, por Irani thotë se duhet të ndal më parë Izraeli sulmet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar para pak minutash për arritjen e një armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit, të cilin Trump shpreson se do të bëhet i përhershëm, shkruan CNN, trasnmeton Express.

“Është rënë dakord plotësisht midis Izraelit dhe Iranit që do të ketë një ARMPUSHIM të plotë dhe total (përafërsisht brenda 6 orësh nga tani, kur Izraeli dhe Irani të jenë tërhequr dhe të kenë përfunduar misionet e tyre të fundit në zhvillim e sipër!), për 12 orë, në të cilën pikë Lufta do të konsiderohet e MBARUAR”, ka shkruar presidenti amerikan në mediat sociale.

Sipas njoftimit të Trump, Irani do të jetë i pari që fillon me respektimin e armëpushimit dhe pas 12 orësh, Izraeli duhet të përmbush armëpushimin poashtu brenda 12 orëve të tjera.

“Gjatë çdo ARMËPUSHIMI, pala tjetër do të mbetet PAQËSORE dhe RESPEKTUESE. Me supozimin se gjithçka funksionon siç duhet, dhe që do të funksionojë, do të doja t’i përgëzoja të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, që patën Qëndrueshmërinë, Guximin dhe Inteligjencën për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet “LUFTA 12-DITORE”. Kjo është një luftë që mund të kishte vazhduar me vite dhe të kishte shkatërruar të gjithë Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë! Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zoti e BEKOFTË BOTËN!”, ka shkruar Trump.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje për armëpushim apo ndalim të operacioneve ushtarake mes Iranit dhe Izraelit, pavarësisht pretendimeve nga pala amerikane.

“Megjithatë, nëse regjimi izraelit ndalon agresionin e tij të paligjshëm ndaj popullit iranian jo më vonë se ora 4 e mëngjesit sipas orës së Teheranit [00:30 GMT], ne nuk kemi ndërmend të vazhdojmë me kundërpërgjigjen tonë më tej,” shkroi Araghchi në një postim në platformën X.

Ai shtoi se vendimi përfundimtar mbi ndalimin e operacioneve ushtarake iraniane do të merret më vonë, duke lënë të hapur mundësinë për vazhdim të përshkallëzimit nëse nuk ndalet agresioni izraelit. Kjo deklaratë përgënjeshtron direkt njoftimin e mëparshëm të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se të dyja palët kishin rënë dakord për një “armëpushim të plotë dhe total”.