Forcat ukrainase sulmuan të hënën një depo nafte në rajonin jugor të Rostovit në Rusi, duke i vënë flakën një objekti strategjik që përdorej për furnizimin e ushtrisë ruse në territoret e pushtuara të Ukrainës. Lajmi u konfirmua nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës përmes një deklarate në Telegram.
Sipas autoriteteve ushtarake, njësitë e operacioneve speciale, së bashku me forcat raketore dhe artilerinë, goditën uzinën “Atlas”, pranë kufirit lindor me Ukrainën. “Një sulm nga forcat tona në zonën e objektivit është konfirmuar. Është vërejtur një zjarr. Rezultatet e sulmit po sqarohen,” thuhet në deklaratë.
Objekti kishte një rol kyç në furnizimin me karburant dhe lubrifikantë të forcave ruse në rajonet e Luhanskut dhe Donetskut, zona kyçe të frontit lindor të luftës. Sulmi vjen në një moment të tensionuar, teksa vijojnë përplasjet në lindje të Ukrainës dhe rritet rreziku i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.







