FLASH :

Dogana në Kukës bllokon mbi 24 mijë veshje sportive të falsifikuara – përfshihen marka si Nike, Adidas dhe Macron

Administrata Doganore në Kukës ka ndërhyrë për të bllokuar një sasi prej mbi 24 mijë artikujsh veshjesh sportive të dyshuara si të falsifikuara, me logot e markave të njohura ndërkombëtare si Nike, Adidas, Macron, Lacoste dhe Polo.

Sipas njoftimit zyrtar, mallrat janë ndaluar më 22 qershor me qëllim parandalimin e hyrjes së tyre në treg, pasi dyshohet se përbëjnë imitime të paligjshme dhe shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Ndër artikujt e sekuestruar janë 1,974 kostume dhe 1,411 bluza sportive të markës “Macron” me mbishkrimin “FSHF”, 370 kostume “Adidas” me emrin “REAL MADRID” dhe 294 kostume “Nike” me mbishkrimin “BARCELONA”. Po ashtu janë ndaluar edhe 11,000 etiketa me logon “Lacoste” dhe 9,000 me logon “Polo”.

Administrata Doganore ka theksuar vendosmërinë për të luftuar mallrat e falsifikuara, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesave të kompanive zyrtare dhe konsumatorëve shqiptarë.