Një imazh i ftohtë dallohet mes fotove të postuara online nga Phoenix Spencer-Horn, së bashku me burrin që ajo e besonte si “shpirtin e saj binjak”.
Në të shihet Ewan Methven duke e kapur Phoenix-in nga fyti, ndërsa duket sikur është gati ta kafshojë në fytyrë, teksa ajo përgatitet ta puthë. Fotoja është bërë në banesën njëdhomëshe ku çifti sapo kishte nisur bashkëjetesën.


Tragjikisht, ajo banesë u kthye në skenën e një krimi të përbindshëm: Methven e vrau brutalisht Phoenix-in, ia preu kokën dhe tentoi ta copëtonte trupin.
Phoenix, vetëm 21 vjeç, vdiq pasi u mbyt dhe u ther 20 herë. Në 48 orët mes prerjes së kokës së saj dhe njoftimit të policisë, Methven i dërgonte mesazhe nënës së saj për ta bërë të besonte se ajo ishte ende gjallë, ndërkohë që aksesoi faqe pornografike mbi 170 herë.


Në gjykatë, Methven, 27 vjeç, pranoi vrasjen makabre dhe pretendoi se kishte pësuar një blackout nga droga. Por hetimet treguan se ai qëndroi në banesë me trupin e Phoenix-it për dy ditë, duke tentuar të shmangte drejtësinë.
Ai përdori telefonin e saj për t’i shkruar nënës së Phoenix-it, Alison Spencer, si të ishte vetë ajo:
“Hej, sapo jam zgjuar xxx… Gjithçka mirë.”
Vetëm pak minuta pas kësaj, ai hyri në faqe pornografike dhe kontaktoi trafikantë droge.
E gjithë tmerri u zbulua në Gjykatën e Lartë të Glasgow, ku Methven pranoi akuzat për vrasje dhe pengim të drejtësisë.

Phoenix – e njohur me përkëdheli si “Phe” – ishte punonjëse në një hotel dhe një kafene në Strathaven, një qytet i vogël në jug të Glasgow. Vrasja e saj tronditi komunitetin dhe familjen.
Në janar, nëna e saj shkroi në rrjete sociale:
“Sot bëhen 63 ditë. Zemrat tona u shkatërruan përgjithmonë. Jeta nuk do të jetë më e njëjtë pa Phe-në tonë.”
Ajo shtoi:
“Kemi bërë festën e ditëlindjes së saj të 21-të, që nuk pati kurrë. Quhej ‘After Party i Phe-së’ dhe ishte një lamtumirë e denjë për të.”
Në TikTok, Phoenix kishte postuar një video me foto të historisë së dashurisë së saj me Methven, me mbishkrimin:
“Jeta është shumë më e bukur dhe plot ngjyra me ty. Kjo është vetëm fillimi i përjetësisë sonë.”
Por imazhi më i errët mbetet ai ku Methven e mban atë nga fyti me një shprehje të çmendur. Tani, kjo foto konsiderohet një paralajmërim i frikshëm.

Mesazhet në Facebook të Methven nga viti 2013 – kur ai ishte vetëm 14 vjeç – zbulojnë një obsesion me dhunën, mbytjen dhe vdekjen. Ai shkruante:
“Gjithmonë ke atë një person që do ta mbytesh nga inati.”
“Është vrit ose vdis.”
“Kur zemërohem më kap një ndjesi e çuditshme.”
Në një postim ai e përshkruante veten si “shites lokal droge & aktor porno me kohë të pjesshme”.
Banorët lokalë e përshkruanin si një djalë “popullor por i çrregullt”, që “dukej bosh në sy”.
Më 14 nëntor, Phoenix ishte në punë dhe Methven i dërgoi mesazh:
“Ndjehem vetëm.”
Ajo i kërkoi falje. Kur u kthye në shtëpi, ata porositën ushqim.

Në orën 21:37 ajo i shkroi nënës së saj:
“Jam në shtëpi duke ngrënë darkë.”
Ishte hera e fundit që komunikoi.
Rreth mesnatës, një fqinj dëgjoi zëra dhe hapa të nxituar. Prokurori Chris McKenna tha:
“Në atë moment, Methven e sulmoi Phoenix-in, duke e mbytur dhe duke e therur me thikë disa herë në kokë, trup dhe fytyrë.”
Mëngjesin tjetër, kur nëna e saj u përpoq ta kontaktonte, Methven e mashtroi si të ishte ajo.
Ndërkohë, ai vazhdonte të hynte në faqe pornografike nga ora 08:12 deri 18:39 – në total 170 herë në një ditë.
Ai u kap edhe nga kamerat e sigurisë duke ngarë makinën e saj të kuqe.
Kur Phoenix nuk shkoi në punë më 18 nëntor, Methven më në fund telefonoi 999 dhe pranoi krimin:
“Kam pasur një krizë psikotike nga droga. E vrava të dashurën time.”
Ai shtoi:
“Jam përpjekur ta copëtoj. E hoqa nga vaska dhe e vendosa aty.”
“Besoj se këto janë 25 vitet e ardhshme të jetës sime.”
Policët që hynë në banesë panë skena aq tronditëse saqë më pas kërkuan ndihmë psikologjike.
Phoenix ishte e zhveshur, e gjymtuar dhe e prerë në kokë. Koka ishte vendosur nën krahun e saj të majtë, ndërsa pranë ishin tre thika me gjak. U gjetën përpjekje për të prerë dorën dhe këmbën.
Autopsia tregoi 20 plagë me thikë, nga të cilat ajo në kraharor ishte fatale. Kishte plagë edhe në fytyrë dhe në të pasme.
Avokati i tij, Tony Graham KC, tha:
“Të afërmit dhe miqtë e Phoenix me të drejtë e shohin Ewan Methven si personifikimin e së keqes.”
“Ai kërkon falje, por e di që nuk do të mund të falet as nga familja, as nga vetja.”
Gjykatësi Lord Matthews e quajti një “krim të tmerrshëm dhe të neveritshëm”.
Dënimi i Methven do të jepet më 14 korrik.







