FLASH :

Turpi i Durrësit dhe Vlorës me javë pa ujë, dhurata e mandatit të 4-t për shqiptarët

Pas siguroi mandatin e katërt, që përbën një rekord në demokraci për një lider shqiptar, Edi Rama u bëri dhuratën më të keqe të mundshme shqiptarëve dhe dy qyteteve që e votuan me rezultate te kënaqshme, Durrësin dhe Vlorën, dy qytetet bregdetare që kryeministri i ka lanë për ditë dhe javë pa ujë.

Edhe pse e ka premtuar që në mandatin e parë qeverisës në 2013 se do të bënte të mundur furnizimin me 24 orë ujë për të gjithë Shqipërinë, sot, pas 12 vjetësh, Shqipëria jo vetëm që ka ujë me orar në pjesën më të madhe të saj dhe pallatet janë të mbushura me depozita, si të ishin një vend i shkretë i Lindjes së Mesme dhe jo një vend i begatë me burime, lumenj dhe rezervuare të panumërta si dhe me një mot mjaft të favorshëm, por tashmë disa qytete po lihen tërësisht pa ujë për ditë dhe javë.

Kjo i ka ndodhur së fundmi Durrësit, Kavajës dhe Vlorës.

Me pretekstin e ndërhyrjeve në sistemin e popmave, të vetë rehabilitimit të rrjetit të amortizuar dhe shtrimit të tubave të reja, fakti është që qytetarët e tre qyteteve të mësipërme i ka gjetur maji dhe qershori në një situatë emergjence që nuk shkaktohet nga natyra, thatësirat, apo mungesa e burimeve hidrike, por paaftësia, dhe keq menaxhimi i institucioneve përgjegjëse për të zgjidhur këtë problematike si dhe nga dritëshkurtërsia e qeverisë, e cila ka nën kontroll thuajse të gjitha bashkive në vend dhe ende vazhdon që problemin e ujit dhe atë të plehrave ta trajtojë si të ishim një vend i botës së tretë dhe jo një shtet evropian.