FLASH :

Një person i armatosur sulmon kishën në Michigan, vritet nga roja i sigurisë

Një person i armatosur që hapi zjarr jashtë një kishe të mbushur me besimtarë të dielën në mëngjes u qëllua për vdekje nga stafi i sigurisë, duke shmangur një të shtënë masive të mundshme, bëri të ditur policia lokale.

Sipas shefit të policisë së Wayne, Ryan Strong, incidenti ndodhi rreth orës 11:00 të mëngjesit në Kishën Komunitare CrossPointe, ku mbi 150 persona po merrnin pjesë në një shërbesë të rregullt të dielës.

Autori, një burrë 31-vjeçar, u pa duke vozitur në mënyrë të pakontrolluar pranë kishës, përpara se të dilte nga automjeti i tij i veshur me jelek taktik dhe i armatosur me një pushkë dhe një pistoletë.

Ai filloi të qëllonte ndërsa i afrohej godinës, duke plagosur një civil në këmbë. Në atë moment, një anëtar i famullisë reagoi me shpejtësi duke e përplasur me automjet autorin e sulmit, ndërsa ky i fundit qëllonte në drejtim të makinës. Më pas, të paktën dy anëtarë të stafit të sigurisë së kishës ndërhynë dhe e qëlluan të dyshuarin, duke i shkaktuar plagë fatale.

“Jemi mirënjohës për veprimet heroike të stafit të kishës dhe një qytetari të guximshëm, të cilët me ndërhyrjen e tyre ndaluan atë që mund të ishte një tragjedi shumë më e madhe,” tha shefi Strong në një konferencë për shtyp.

I plagosuri u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas autoriteteve, nuk pati viktima të tjera, ndërsa motivi i autorit mbetet ende i paqartë.

Shefi i policisë shtoi se personi i armatosur nuk kishte lidhje të njohura me kishën dhe dyshohet se po përjetonte një krizë të rëndë të shëndetit mendor.

Zyrtarë të FBI-së konfirmuan se agjentë federalë janë në vendngjarje dhe po ndihmojnë në hetime. Ndërkohë, komuniteti lokal vazhdon të jetë në tronditje nga ngjarja e pazakontë.

Sipas faqes zyrtare të kishës, shërbesa e së dielës nis çdo javë në orën 10:45. Ngjarja është dokumentuar gjithashtu nga transmetimi i drejtpërdrejtë i kishës, i cili ka kapur momentet e para të kaosit.

Një dëshmitare, Wendy Bodin, tha për WXYZ-TV: “Dëgjova një bum të madh. Kur pashë jashtë, pashë një burrë të shtrirë në bar. Një zonjë më tha: ‘O Zot, telefono 911!’ Ishte e frikshme.”

Hetimet janë ende në vazhdim, ndërsa policia dhe autoritetet federale po përpiqen të zbulojnë më shumë mbi motivet dhe prejardhjen e të dyshuarit.