FLASH :

Gjobitet me 4 milionë lekë resort Bojo në Radhimë, kishte muzikë pas orës 12

Resorti “Bojo” në Radhimë është gjobitur me 400 000 lekë (4 milionë të vjetra) pasi u konstatua duke gjeneruar muzikë pas orarit të lejuar, në kundërshtim me rregulloren për qetësinë publike dhe kufijtë e zhurmës.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, në kuadër të planit të masave të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për monitorimin e aktiviteteve me muzikë gjatë sezonit veror, u konstatua se subjekti në fjalë vazhdonte me muzikë edhe pas orës 24:00.

Për këtë shkelje, u vendos menjëherë masa administrative me vlerë 400 000 lekë ndaj subjektit. Ndërkohë, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, ndaj shtetasit B. B., 57 vjeç, banues në Radhimë, pronar i lokalit.

Policia e Vlorës apelon të gjithë administratorëve të lokaleve, bareve dhe resorteve që të respektojnë kufijtë e lejuar të zhurmës dhe oraret për muzikë, për të garantuar një ambient të qetë për pushuesit dhe banorët e zonës.