Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur mëngjesin e kësaj të shtune një aksion shembjeje në zonën turistike të Radhimës. Në fokus janë disa objekte pa leje, përfshirë bare, beach bare dhe njësi shërbimi, të ndërtuara përgjatë vijës bregdetare.
Aksioni zhvillohet në kulmin e sezonit veror, megjithëse disa nga këto struktura kishin marrë leje për ushtrimin e aktivitetit vetëm pak muaj më parë. Shembjet po kryhen për shkak se zonat në fjalë përfshihen nga projekti “Lungomare 3”, që parashikon ndërhyrje të reja infrastrukturore në bregdet.
Ndërhyrja e IKMT-së është shoqëruar me pluhur, inerte dhe kaos, duke shqetësuar pushuesit dhe duke dëmtuar aktivitetin e bizneseve që operojnë në këtë periudhë. Banorë dhe sipërmarrës e kanë cilësuar ndërhyrjen si të papërshtatshme dhe absurde për këtë fazë të vitit, duke theksuar se shembjet mund të ishin kryer në vjeshtë, jashtë sezonit turistik.







