FLASH :

“Greta Thunberg-u mashkull” që po trazon turizmin në Spanjë: Jaume Pujol, 16 vjeç, frymëzon protesta kundër turistëve britanikë në Majorka

Në pamje të parë, Jaume Pujol mund të duket si çdo adoleshent tjetër nga Majorka, i relaksuar pas provimeve të fundit dhe gati për pushimet verore. Por ky 16-vjeçar i qetë, me pamje prej ylli latino dhe retorikë të rrjedhshme, është kthyer në simbolin e revoltës kundër turizmit masiv që ka përfshirë Spanjën dhe vendet e tjera të Mesdheut.

I frymëzuar nga Greta Thunberg, të cilën e quan “pikë reference”, Jaume është një nga organizatorët kryesorë të grupit “Menys Turisme, Més Vida” (“Më pak turizëm, më shumë jetë”) dhe i lëvizjes së ashtuquajtur “de-turistifikim”. Protestat e fundit, që përfshinë nga Ishujt Balearikë dhe Kanarie deri në Barcelonë, Portugali dhe Itali, janë koordinuar nga një rrjet radikal i quajtur Southern European Network Against Tourism.

Në Palma, Jaume u shfaq në vijën e parë të protestave duke komentuar live në YouTube teksa aktivistët ndaluan një autobus turistik, vendosën pankarta dhe ndezën tymuese të verdha, duke trembur pasagjerët. Ditën tjetër, ai lexoi një manifest trefaqësh ku denoncohej modeli aktual turistik që, sipas tij, “shkatërron komunitetin, grabit burimet, rrit krizën klimatike dhe e bën të pamundur jetesën për banorët e rinj të Majorkës.”

Në fjalimin e tij, Jaume shkoi edhe më tej, duke dënuar “imperializmin perëndimor dhe sionist” dhe duke shprehur solidaritet me Palestinën – një qëndrim që ka ngjallur polemika dhe habi për lidhjen e tij me çështjen e turizmit.

Përkundër entuziazmit të tij, Jaume ofron pak zgjidhje konkrete për të zëvendësuar industrinë miliardëshe të turizmit që punëson 90% të banorëve të ishullit. Ai ëndërron një rikthim në Majorkën e dikurshme – të vetëqëndrueshme, rurale dhe pa resorte luksi.

Por aktivizmi i tij nuk ka kaluar pa pasoja. Jaume ka marrë kërcënime për vdekje, mesazhe në rrjetet sociale dhe grafite të frikshme pranë shkollës, me thirrje si “Do të të vrasim!” dhe simbole të ekstremit të djathtë, si shqiponja e diktatorit Franco. Megjithatë, ai nuk ka bërë denoncim formal, duke thënë se nuk i beson institucioneve.

Përkundër kritikave ndaj metodave të protestës, shumë nga shqetësimet që ngre Jaume janë të justifikuara. Shumica e të rinjve nuk mund të përballojnë më çmimet e shtëpive, të cilat janë rritur ndjeshëm për shkak të blerjeve nga të huajt dhe fenomenit të Airbnbs të paligjshme. Agjenti imobiliar Alex Hervas, në zonën turistike Peguera, thotë se apartamente të vogla pranë detit po shiten për mbi 700 mijë euro, ndërkohë që qëndrojnë bosh për pjesën më të madhe të vitit.

Megjithatë, jo të gjithë mbështesin protestat. Shumë vendas, përfshirë taksistë, shitës e punonjës hotelesh, e pranojnë me dhimbje se pa turizëm ishulli nuk mbijeton – veçanërisht pas goditjes që solli pandemia.

Presidenti i bordit të turizmit të Majorkës, Eduardo Gamero, kërkon masa më të balancuara: kufizim të shtretërve turistikë, kufizim të numrit të anijeve turistike dhe mbrojtje më të mirë për ambientin. Por ndërkohë, Jaume dhe grupet e tij të shpërndara në “qeliza” po planifikojnë veprime të reja për muajt e verës, duke paralajmëruar se revolta kundër “turizmit të tepruar” do të vazhdojë.

Nuk dihet ende se çfarë formë do marrin këto aksione, por mesazhi është i qartë: pushuesit britanikë dhe të huaj do të përballen me një realitet të ndryshëm këtë verë në Majorkë – një realitet ku tensioni mes komunitetit vendas dhe industrisë së turizmit po arrin pikën kritike.