FLASH :

“Vdiqa pasi solla në jetë vajzën time” – nëna që humbi katër litra gjak rrëfen përvojën pranë vdekjes: “S’kishte dritë, s’kishte zë – por ndjeva qetësi”

Në tetor 2024, vetëm katër javë pas lindjes së vajzës së saj Zuma, Samantha Mangilit u përball me një nga komplikacionet më të rënda që mund të godasë një grua pas lindjes: hemorragji e vonuar post-partum që i rrëmbeu thuajse gjithë gjakun nga trupi. “E ndjeva që po vdisja. Ishte qetësi totale, errësirë… por nuk kisha frikë. Ishte si të flije në paqe,” kujton ajo nga momenti kur trupi i saj po dorëzohej, ndërsa mjekët luftonin për ta kthyer në jetë.

Ajo kishte një pseudoaneurizëm në arterien uterine, një grumbullim i rrezikshëm gjaku pranë vendit të prerjes cezariane, që nisi papritur të rridhte në mënyrë të pakontrolluar. Brenda pak minutash, Samantha humbi katër litra gjak, ra në gjendje shoku dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente për të bllokuar gjakderdhjen. Operacioni 4-orësh, i quajtur embolizim bilateral i arteries uterine, e shpëtoi – por ajo kaloi një javë në reanimacion, larg foshnjës së saj, me trishtimin që nuk mund ta përqafonte as në ditët e para të jetës.

“Zgjohesha natën nga makthet. Kontrolloja gjakun tim çdo orë. Mendoja se do më ndodhte përsëri,” tregon ajo, duke rrëfyer për stresin post-traumatik që e përndoqi për muaj me radhë. Edhe pse sot është jashtë rrezikut, pas disa skanimeve dhe rikuperimit të ngadaltë, ajo ende s’e di nëse mund të ketë fëmijë të tjerë pa rrezik. “Askush s’mund të më thotë nëse kjo mund të përsëritet,” thotë ajo me pasiguri.

Por përmes gjithë dhimbjes, frikës dhe panikut, Samantha thotë se ka fituar një perspektivë të re për jetën. “E di që tingëllon klishe, por tani çdo gjë më duket e vogël. Trafiku? Telefoni që më mbaron? S’ka rëndësi. Jam gjallë. Dhe kjo më mjafton.”