FLASH :

Qëndresa Qytetare pezullon punimet në Spaç: 749 firma ndalojnë ndërhyrjet në burgun simbol të komunizmit

Reagimet e forta të aktivistëve, organizatave dhe qytetarëve të angazhuar në mbrojtje të Burgut të Spaçit kanë arritur të japin një rezultat konkret: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka njoftuar zyrtarisht pezullimin e ndërhyrjeve në këtë vend simbolik të kujtesës historike shqiptare.

Ky vendim vjen pas peticionit të firmosur nga 749 qytetarë dhe organizata, i adresuar autoriteteve përgjegjëse, ku kërkohej ndalimi i menjëhershëm i punimeve të nisura pa transparencë dhe pa konsultim publik. Në reagimin e bërë publik, organizatat theksojnë se ky pezullim është vetëm një hap i parë drejt reflektimit institucional, por mbetet një ndalesë e përkohshme.

“Do të vijojmë me vendosmëri të kërkojmë ndalimin përfundimtar të punimeve, si dhe shndërrimin e Burgut të Spaçit në një memorial kombëtar të krimeve të komunizmit, një vend nderimi, reflektimi dhe edukimi që i përket kujtesës kolektive dhe jo ndërhyrjeve të paplanifikuara”, thuhet në reagimin e organizatave.

Sipas tyre, themelet e kujtesës nuk mund të preken pa një vizion të qartë dhe pa një proces gjithëpërfshirës, të bazuar në transparencë, respekt dhe konsultim publik.

Burgun e Spaçit, një nga simbolet më të forta të represionit komunist në Shqipëri, organizatat kërkojnë ta shndërrojnë në një hapësirë që ruan të vërtetën historike dhe shërben si mësim për brezat që vijnë. Protestat dhe mobilizimi qytetar pritet të vijojnë deri në arritjen e qëllimit përfundimtar: një Spaç që i përket historisë, jo ndërtimeve të pakoordinuara.