FLASH :

Godina e Bill Gates në Izrael në flakë, pas goditjes me raketë nga Irani

Pamje dramatike që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë makina të shkrumbuara dhe ndërtesa të përfshira nga flakët në qytetin jugor izraelit të Be’er Sheva, pas një sulmi me raketa të nisura nga Irani të premten në mëngjes.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, raketat goditën afër një parku teknologjik në qytet, ku ndodhet edhe një zyrë e gjigantit teknologjik Microsoft. Sipas CNN, agjencia izraelite e emergjencës Magen David Adom (MDA) publikoi video nga vendngjarja që tregojnë skena shkatërrimi, me automjete në flakë dhe ndërtesa të dëmtuara rëndë.

Policia izraelite konfirmoi se kanë rënë municione në rajonin jugor të vendit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por pa raportime për viktima deri më tani.

“Mbërritëm menjëherë me forca të shumta – autoambulanca, njësi të kujdesit intensiv dhe motoçikleta – dhe pamë tym të dendur, makina në flakë dhe ndërtesa të dëmtuara,” tha paramediku Dvir Ben Ze’ev nga MDA.

Autoritetet izraelite kanë ngritur pika triazhimi për banorët dhe punonjësit në zonën e goditur, ndërsa ekipe të emergjencës vijojnë kërkimet në ndërtesat e dëmtuara për të siguruar që nuk ka persona të bllokuar nën rrënoja.

Kjo ngjarje vjen një ditë pasi një tjetër raketë goditi spitalin Soroka në Be’er Sheva, duke dëmtuar infrastrukturën e tij. Situata po përshkallëzohet dita-ditës, me një rritje dramatike të tensioneve ushtarake në rajon.

Ushtria izraelite ka njoftuar se sirenat e alarmit janë dëgjuar në disa zona të vendit pas identifikimit të raketave të nisura nga Irani. “Po punojmë për t’i interceptuar raketat dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë,” thuhet në deklaratën e forcave të mbrojtjes izraelite në kanalin e tyre zyrtar në Telegram.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet, teksa frika për një përshkallëzim të madh ushtarak mes Iranit dhe Izraelit sa vjen e rritet..