Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur orët e para të mëngjesit në zonën e Fushë-Krujës. Rreth orës 01:10 të mëngjesit të së enjtes, lokali i Mondi Vogës – ish-shofer i deputetit të sapozgjedhur të Partisë Demokratike dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja – është qëlluar me armë zjarri në fshatin Krastë. Për fat të mirë, nga atentati nuk ka pasur të lënduar, por janë shënuar dëme materiale.
Sipas burimeve zyrtare, vetë Voga ka bërë kallëzim në polici, ndërsa uniformat blu po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motiveve të këtij sulmi. Por ky nuk është rasti i parë që Voga përballet me dhunë: në vitin 2017, në lokalin e tij u vendos një sasi eksplozivi, ndërsa në janar të vitit 2020 u arrestua për armëmbajtje pa leje, duke udhëtuar me një makinë të blinduar dhe armë zjarri tip TT.
49-vjeçari ka qenë më parë drejtues i ALUIZNI-t në Fushë-Krujë, si dhe inspektor mjedisi në Durrës. Ai është një emër i njohur për policinë, për shkak të përfshirjes në disa ngjarje të dhunshme, përfshirë edhe një episod në vitin 2018 ku dhunoi një avokat. Emri i tij është përmendur edhe për lidhjet me Arjan Ndojën, i cili pas atentatit të bujshëm në vitin 2019 u shkarkua nga sistemi i drejtësisë për lidhje me krimin dhe pasuri të pajustifikuar.
Atentati i fundit ndaj Vogës rikthen në vëmendje edhe vrasjen e shoferit të Ndojës, Andi Maloku, i cili ndërroi jetë gjashtë ditë pas atentatit në mbikalimin e Shkozetit. Ai ishte i vetmi që u transportua në Spitalin e Traumës, ku fatkeqësisht humbi jetën më 30 nëntor – ditën që do të festonte 24-vjetorin e lindjes. Maloku ishte plagosur rëndë me dy plumba, një në shtyllën kurrizore dhe një tjetër në mushkëri, dhe pavarësisht se mjekët deklaruan se kishte kaluar rrezikun për jetën, ai nuk arriti t’i mbijetonte plagëve.
Pas vdekjes së tij, akuza ndaj autorit të dyshuar, Redjan Rraja, ndryshoi nga “vrasje e mbetur në tentativë” në “vrasje me dashje”, ndërsa mbeten në fuqi edhe akuzat për “vrasje të funksionarëve publikë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Zinxhiri i dhunës që lidhet me emra të drejtësisë, politikës dhe krimit të organizuar duket se nuk është ndalur, duke ngritur sërish pikëpyetje për sigurinë publike, ndikimin e bandave në jetën politike dhe mungesën e sundimit të ligjit në disa zona të vendit.







