Ndërsa tensionet mes Izraelit dhe Iranit rriten, një nga skenarët më të frikshëm që po përmendet gjithnjë e më shpesh është ai i bllokimit të ngushticës së Hormuzit nga ana e Iranit. Një veprim i tillë do të përbënte jo vetëm një përshkallëzim të rrezikshëm ushtarak, por edhe një tronditje të fortë për ekonominë botërore – me pasoja të menjëhershme dhe afatgjata.
Ngushtica e Hormuzit, një korridor detar i ngushtë midis Iranit dhe Omanit, është një nga arteriet më jetike për tregtinë globale të naftës. Çdo ditë, nga kjo rrugë kalon mbi 20% e konsumit global të naftës – duke lidhur prodhuesit kryesorë të Gjirit Persik si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari me tregjet në Evropë, Azi dhe Amerikën e Veriut. Vetëm korsia e kalueshme për anijet gjigande është rreth 3.7 kilometra e gjerë, gjë që e bën këtë pikë tejet të ndjeshme ndaj çdo ndërprerjeje.
Çfarë ndodh nëse Irani mbyll Hormuzin?
Ekspertët paralajmërojnë se mbyllja e ngushticës do të kishte efekt zinxhir në tregjet globale. “Ky do të ishte një kërcënim i madh për të gjithë ekonominë botërore,” thotë Dawood Nazirizadeh, ekspert ekonomik nga Teherani. Jo vetëm çmimi i naftës dhe benzinës do të rritej ndjeshëm – siç ka ndodhur pjesërisht ditët e fundit për shkak të frikës – por edhe zinxhiri i furnizimeve globale do të tronditej. Mungesat e karburantit do të prekeshin të gjitha industritë që varen nga derivatet e naftës, nga transporti te prodhimi i materialeve plastike.
Rruga për të kompensuar mungesën e naftës nuk është e lehtë. Itinerare alternative si kanali i Suezit apo rruga Malacca nuk e zëvendësojnë dot kapacitetin e Hormuzit. Prandaj, çdo përpjekje për bllokim nga ana e Iranit do të përkthehej menjëherë në shok ekonomik, presion mbi tregjet dhe frikë për recesion global.
Një levë strategjike në duart e Teheranit
Për Iranin, ngushtica e Hormuzit nuk është thjesht një rrugë kalimi – është një kartë strategjike. Në të kaluarën, sa herë Teherani është përballur me sanksione të ashpra apo kërcënime të jashtme, ka përdorur bllokimin e Hormuzit si mjet presioni. Në konfliktin aktual me Izraelin, ku sulmet ajrore kanë prekur edhe objektiva brenda territorit iranian, ky kërcënim po rikthehet në tryezë me intensitet.
Në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen dhe diplomacia ndërkombëtare nuk po arrin të frenojë retorikën ushtarake, çdo incident në Hormuz mund të jetë shkëndija e një krize energjetike me përmasa botërore.
Ngushtica e Hormuzit është sot më shumë se kurrë një pikë kyçe për paqen dhe stabilitetin ekonomik ndërkombëtar. Çdo përshkallëzim që e kthen atë në një zonë lufte nuk do të ndikojë vetëm rajonin, por do të godasë drejtpërdrejt xhepat e konsumatorëve, stabilitetin e tregjeve dhe ritmin e rritjes ekonomike globale. Bota po e mban frymën.