Policia e Hungarisë ka ndaluar zyrtarisht zhvillimin e paradës së komunitetit LGBTQ+ në Budapest, e planifikuar për më 28 qershor. Vendimi u bë publik të enjten përmes një deklarate, ku autoritetet policore njoftuan se parada bie ndesh me një ligj të miratuar së fundmi që synon “mbrojtjen e fëmijëve”.
Parlamenti hungarez, i dominuar nga partia e djathtë Fidesz e kryeministrit Viktor Orbán, miratoi në mars një ligj që u jep policisë bazë ligjore për të ndaluar tubime të komunitetit LGBTQ+. Kjo lëvizje shihet si pjesë e fushatës konservatore të qeverisë ndaj të drejtave të këtij komuniteti.
Kryetari liberal i Budapestit, Gergely Karácsony, u përpoq të anashkalojë ligjin duke shpallur të hënën se ngjarja do të organizohej si një aktivitet komunal dhe për rrjedhojë “nuk kërkonte leje nga autoritetet”.
Megjithatë, policia metropolitane e Budapestit e refuzoi këtë argument, duke deklaruar se ligji i ri zbatohet edhe për aktivitetet e organizuara nga bashkia dhe për rrjedhojë vendosi ndalimin e tubimit.
Karácsony reagoi në Facebook duke thënë se ndalimi “nuk ka rëndësi” pasi autoritetet nuk ishin njoftuar zyrtarisht për planin e organizimit. “Bashkia e Budapestit do të presë Festën e Lirisë së Budapest Pride më 28 qershor, ditën e lirisë hungareze, si një ngjarje komunale. Pikë.”, shkroi ai. Pritet që dhjetëra mijëra njerëz të marrin pjesë në protestë.
Viktor Orbán përballet me zgjedhje të vështira në vitin 2026, ku një parti e re opozitare në rritje paraqet sfidë serioze për pushtetin e tij. Qeveria e tij, me një axhendë konservatore kristiane, ka përshkallëzuar retorikën dhe veprimet kundër komunitetit LGBTQ+, duke synuar të forcojë mbështetjen nga baza elektorale rurale.
Në shkurt, Orbán kishte deklaruar se organizatorët “as mos të mundohen të organizojnë Pride në Budapest këtë vit”.







