Mediat iraniane raportuan të mërkurën se Izraeli ka kryer një sulm kibernetik ndaj televizionit shtetëror të Iranit, duke ndërprerë transmetimin satelitor dhe duke shfaqur mesazhe që thërrisnin qytetarët të dalin në rrugë.
Sipas agjencisë AFP, televizioni shtetëror iranian paralajmëroi se “ngjarja ishte rezultat i sulmeve kibernetike të kryera nga armiku sionist, të cilat kanë ndërprerë transmetimin satelitor”.
Ky incident vjen në një moment të tensionuar mes Teheranit dhe Tel Avivit, pas shkëmbimeve të ashpra me raketa dhe goditjeve ajrore në javët e fundit. Autoritetet iraniane nuk dhanë detaje të mëtejshme për përmasat e sulmit apo për përmbajtjen e plotë të mesazheve të shfaqura gjatë ndërhyrjes.







