FLASH :

Baba i katër fëmijëve ndërron jetë nga kanceri i zorrës së trashë në moshën 40-vjeçare/ E vetmja shenjë ishte një dhimbje barku që u shpërfill lehtë

Një baba britanik i katër fëmijëve ka ndërruar jetë vetëm tetë muaj pasi u diagnostikua me kancer të zorrës së trashë – sëmundje e cila në fillim u shfaq vetëm si një dhimbje e vazhdueshme barku që ai mendoi se lidhej me stresin ose me gurët në tëmth.

Kyle Ingram-Baldwin, 40 vjeç, nga Minster, Kent, kishte nisur një fushatë për mbledhje fondesh më 8 qershor për të provuar trajtime alternative, duke thënë se “nuk ishte gati të dorëzohej”.

Por, më 16 qershor, bashkëshortja e tij Becky njoftoi ndarjen e dhimbshme nga jeta të Kyle në një postim prekës:
“Fatkeqësisht, Kyle pati një përkeqësim të menjëhershëm dhe të papritur dhe e humbëm dje,” shkroi ajo.
“Ai ishte njeriu më i jashtëzakonshëm që kam njohur ndonjëherë, dhe e di që do të donte t’ju falënderoja të gjithëve për mbështetjen.”

Vdekja e tij ndodh në një kohë kur mjekët po paralajmërojnë për një rritje shqetësuese të rasteve të kancerit të zorrës së trashë te të rinjtë.

Kyle kishte kërkuar ndihmë për herë të parë në tetor, pasi dhimbja e barkut nuk po i largohej. Por kur gjendja u përkeqësua, ai përfundoi në urgjencë. Një eko tregoi masa të dyshimta në mëlçi dhe më pas skaneri CT konfirmoi se ato ishin tumore. Testet e mëtejshme zbuluan se bëhej fjalë për përhapje të një kanceri që kishte origjinën në zorrën e trashë – tashmë në stadin e katërt, faza më e avancuar dhe më e rrezikshme.

Vetëm 10% e pacientëve të diagnostikuar në këtë stad jetojnë më shumë se 5 vjet, sipas Cancer Research UK.

Kyle, i punësuar në një kompani shitjesh automatike, i nënshtrohet mbi gjashtë cikleve të kimioterapisë intensive, por fatkeqësisht pa rezultat.

Pak para se të ndërronte jetë, ai foli për dhimbjen emocionale që sëmundja i kishte shkaktuar familjes:
“Është e vështirë ta shpjegosh me fjalë, sepse i dua fëmijët e mi pa masë. Thjesht shqetësohem për të ardhmen e tyre,” tha ai.
“Kanë nënën më të mirë në botë, dhe e them sinqerisht. Gruaja ime është e jashtëzakonshme.”

Ai apeloi që njerëzit të mos shpërfillin sinjalet e trupit të tyre:
“Nuk kisha asnjë nga simptomat klasike,” tha ai. “Nëse ndjeni që diçka nuk shkon, lutem shkoni te mjeku dhe këmbëngulni për kontroll, sepse nuk dua që askush të përjetojë atë që përjetova unë.”

Rritje alarmante e rasteve te të rinjtë

Shenjat e kancerit të zorrës së trashë përfshijnë ndryshime në zakonet e jashtëqitjes (diarre, kapsllëk, nevojë të shpeshtë ose të rralluar për të shkuar në tualet), gjak në feçe, dhimbje barku, fryrje, humbje peshe dhe lodhje të pashpjegueshme. Dhimbja e barkut, fryrja dhe një masë e ndjeshme në stomak ishin simptomat e vetme që pati Kyle.

Mjekët paralajmërojnë se raste si ai i Kyle po bëhen gjithnjë e më të shpeshta te të rinjtë nën 50 vjeç. Një studim ndërkombëtar zbuloi se rastet e kancerit të zorrës së trashë po rriten në 27 nga 50 vendet e analizuara.

Në Angli, numri i rasteve te të rinjtë po rritet me një mesatare prej 3.6% çdo vit – një nga rritjet më të larta të regjistruara.

Megjithëse obeziteti është faktor rreziku i njohur, sëmundja po shfaqet gjithnjë e më shpesh edhe te të rinj të shëndetshëm. Disa shkencëtarë mendojnë se fajtorë mund të jenë faktorët mjedisorë, si kimikatet në ushqim, mikroplastika, ndotja, madje një studim i fundit përmendi edhe ekspozimin ndaj bakterit E.coli përmes ushqimit.

Çdo vit në Britani diagnostikohen rreth 2,600 raste të reja të kancerit të zorrës së trashë te të rinjtë (25-49 vjeç) dhe rreth 44,000 raste në total. Në SHBA, kjo shifër shkon në 130,000 raste në vit. Sëmundja shkakton afro 17,000 vdekje në Britani dhe 50,000 në SHBA çdo vit.

Vetëm pak më shumë se gjysma e pacientëve me këtë sëmundje mbijetojnë përtej 10 viteve nga diagnoza.

Fushata për jetën e Kyle mblodhi mbi 15,000 paund, por tani bashkëshortja e tij ka njoftuar se fondet do t’u kthehen donatorëve. Ajo gjithashtu i ka nxitur njerëzit që, në vend të kësaj, të kontribuojnë për bamirësi ose t’i përdorin për të krijuar kujtime me familjet e tyre.