I vetmi pasagjer që mbijetoi nga përplasja fatale e avionit të Air India-s ka treguar momentet dramatike se si arriti të shpëtonte nga rrënojat.
Britaniku Vishwash Kumar Ramesh, i cili ishte ulur në vendin 11A, e quan një “mrekulli” faktin që mbijetoi në aksidentin e javës së kaluar, ku humbën jetën 279 persona.


Por ai thotë se ndjehet i shkatërruar nga faji që nuk arriti të shpëtonte vëllain e tij, Ajay, i cili humbi jetën në tragjedi.
“Është një mrekulli që mbijetova. Fizikisht jam mirë, por ndjehem tmerrësisht që nuk arrita të shpëtoj Ajayn,” tha 40-vjeçari nga Leicester për The Sun.
Vishwash kishte tentuar të rezervonte dy vende pranë njëri-tjetrit në fluturimin AI171, që u rrëzua mbi një zonë të populluar në qytetin Ahmedabad pak minuta pas ngritjes, por në momentin e rezervimit ishte i detyruar të zgjidhte vende të ndara në rreshtin 11.
“Nëse do të ishim ulur bashkë, ndoshta do të kishim shpëtuar të dy,” tha ai.
“U përpoqa të merrja dy vende ngjitur, por njëra ishte marrë. Unë dhe Ajay do të kishim qenë bashkë… Por tani e humba vëllain përpara syve të mi. Dhe vazhdimisht mendoj: ‘Pse nuk arrita ta shpëtoja?’”
I ulur pranë një daljeje emergjence, Vishwash arriti të zvarritej nëpër një hapësirë të krijuar në trupin e shkatërruar të avionit Boeing 787 Dreamliner.
Vëllai i tij, Ajay, që ndodhej në vendin 11J, humbi jetën bashkë me 240 pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.

Pamje ekskluzive të siguruara nga MailOnline tregojnë Vishwash-in teksa përpiqej të kthehej mes flakëve për të shpëtuar vëllain e tij.
Ai iu drejtua një punonjësi të parë të emergjencës: “Vëllai im është aty brenda, po digjet për së gjalli. Duhet ta shpëtoj!”
Punonjësi i emergjencës, Satinder Singh Sandhu, tha: “U afrova, e kapa Vishwashin nga krahu dhe e çova në një ambulancë që priste. Nuk e dija që ishte pasagjer, mendova se ishte banor i konviktit ose kalimtar. Ishte i tronditur dhe ecte duke çaluar. Kishte gjak në fytyrë, por mund të fliste. I tha mjekëve se po fluturonte drejt Londrës kur avioni u rrëzua dhe se donte të kthehej për të shpëtuar familjen.”
Sot, Vishwash – me fytyrën të fashuar – mbante në krah arkivolin e vëllait të tij gjatë një ceremonie në Gujarat. U pa duke qarë me dhimbje dhe më pas u largua me ndihmë.


Përplasja e javës së kaluar është një ndër tragjeditë ajrore më vdekjeprurëse që kanë përfshirë shtetas britanikë.
Avioni u përplas mbi një konvikt të një kolegji mjekësor në një zonë banimi në Ahmedabad, duke vrarë 241 nga 242 personat në bord, përfshirë 52 britanikë.
Hetuesit ende nuk kanë përcaktuar shkakun e përplasjes.

Ndërkohë, të martën, një fluturim tjetër i Air India në të njëjtën linjë u anulua për shkak të “kontrolleve parandaluese”, sipas kompanisë.
Sipas faqes zyrtare të Air India, fluturimi AI159 u vonua fillimisht me një orë e 50 minuta, por më pas u anulua.
Një tjetër fluturim nga Gatwick drejt Amritsar, Indi, po ashtu u anulua.
Të dyja fluturimet ishin parashikuar të kryheshin me Boeing 787-8 Dreamliner, të njëjtin model që u rrëzua në Ahmedabad më 12 qershor, pak pas ngritjes.







