FLASH :

Pushimet në Itali ndezin thashethemet: Lamine Yamal dhe stjuardesa 29-vjeçare nuk duan ta “etiketojnë” marrëdhënien e tyre

Ylli 17-vjeçar i Barcelonës, Lamine Yamal, është fotografuar në një pushim luksoz në Itali me stjuardesën dhe influenceren 29-vjeçare Fati Vazquez – një udhëtim që ka ndezur spekulime dhe polemika në rrjetet sociale, sidomos për shkak të diferencës së moshës mes tyre.

Fotot e publikuara nga revista spanjolle Lecturas i tregojnë të dy në një jet ski në ishullin Pantelleria në jug të Sicilisë, si dhe në udhëtime me jaht dhe helikopter. Pavarësisht pamjeve intime, të dy kanë mohuar se janë çift. Revista shkruan se “nuk duan t’i vendosin një emër marrëdhënies së tyre, por shkojnë perfekt bashkë”.

Yamal, përmes gazetarit Javi de Hoyos, ka mohuar çdo lidhje romantike, duke thënë se “nuk ka asgjë mes tyre” dhe se nuk ka udhëtuar i vetëm, por me disa shokë të ekipit të Barcelonës. Ndërkohë, De Hoyos ka sugjeruar se Vazquez mund të jetë e lidhur me ndonjë lojtar tjetër të Barcelonës.

Nga ana e saj, Vazquez – e cila ka mbi 1 milion ndjekës në rrjetet sociale, përfshirë OnlyFans – ka reaguar ashpër ndaj sulmeve dhe kërcënimeve me vdekje që ka marrë në internet. Në një intervistë për emisionin spanjoll La familia de la tele, ajo tha: “Jam duke marrë mesazhe që më quajnë pedofile, më urojne vdekjen. Por unë jam thjesht 29 vjeç dhe nuk kam vrarë askënd. Jemi dy njerëz që duam të kalojmë kohë mirë.”

Ajo postoi gjithashtu një mesazh ironik në Instagram: “Imagjinoni të flisni keq për mua dhe unë jam këtu kështu,” krahas një fotoje në pishinë në Itali. Vazquez, që dikur ishte stjuardesë, tashmë fokusohet në përmbajtje për rrjetet sociale dhe promovon stilin e shëndetshëm të jetës.

Ndërkohë, jeta romantike e Yamal mbetet në qendër të vëmendjes. Pas ndarjes nga influencerja Alex Padilla – me të cilën doli publikisht pas triumfit në Euro 2024 – ai është lidhur me emra të tjerë të njohur në TikTok, por aktualisht besohet se është beqar. Futbollisti pritet të udhëtojë në Brazil për të takuar idhullin e tij të fëmijërisë, Neymar, siç ka deklaruar më herët në intervista.