FLASH :

Makina vidhet për 20 sekonda: Hajdutët e makinave zbulojnë teknikat e tyre dhe tallin viktimat “Shko bli një tjetër”

Një video tronditëse e transmetuar nga Channel 4 në kuadër të emisionit investigativ Dispatches ka ekspozuar mënyrën se si bandat e organizuara në Britani vjedhin makina me sistem “keyless” në më pak se 20 sekonda – për një pagesë prej 5,000 paund për makinë. Dy hajdutë të maskuar treguan në kamerë sesi përdorin një pajisje që përforcon sinjalin e çelësit të makinës nga brenda shtëpisë së pronarit, duke mundësuar hapjen e dyerve dhe nisjen e motorit, pa pasur nevojë për çelësin origjinal.

Në klipin e publikuar, hajduti i identifikuar si “T” dhe bashkëpunëtori i tij demonstruan teknikën në një automjet që thanë se e kishin vjedhur më parë. Ata treguan se janë në gjendje të marrin deri në 20 makina në muaj dhe 90% e tyre përfundojnë të copëtuara për pjesë ose të eksportuara në vende si Shqipëria, Bullgaria, Qipro dhe Greqia. “Këto janë makina të sigurura, një problem i botës së parë. Makina jote iku, boo-hoo… shko bli një tjetër,” u shpreh me arrogancë hajduti T.


Një rrjet i sofistikuar ndërkombëtar që përfshin edhe Shqipërinë

Programi zbuloi gjithashtu sesi këto makina të vjedhura transportohen me kontejnerë drejt porteve dhe më pas dërgohen jashtë vendit, shpesh drejt tregjeve afrikane apo europiano-lindore. Agjenti i NaVCIS, Adam Gibson, identifikoi kontejnerë që përmbanin makina të vjedhura, disa të prera në gjysmë për të zënë më pak hapësirë. Një prej tyre – një kamionçinë e bardhë – rezultoi e vjedhur në janar 2025 nga Kent dhe ishte gati për eksport drejt Afrikës.

Ndërsa autoritetet përpiqen të ndalojnë trafikun, shumica e viktimave nuk marrin kurrë makinat e tyre mbrapsht. Në Londër, vetëm 10% e vjedhjeve zgjidhen. Në një rast, një Audi A4 e pajisur me gjurmues u lokalizua pesë javë pas vjedhjes në Lituani, por policia arriti të gjejë vetëm disa tela të copëtuar – makina ishte totalisht shpërbërë. Sipas autoriteteve britanike, një makinë vidhet çdo katër minuta në Mbretërinë e Bashkuar dhe shumica e rasteve përfshijnë makina me çelësa elektronikë.

Policia e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar se shumë prej këtyre pajisjeve – si përforcuesit e sinjalit dhe “jammer”-at – po përdoren gjerësisht për qëllime kriminale dhe do të ndalohet importi dhe shitja e tyre. Një përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Shefave të Policisë tha se “kjo është një luftë komplekse kundër krimit të organizuar, që kërkon bashkëpunim mes qeverisë, industrisë dhe organeve ligjzbatuese”.

Episodi Britain’s Car Theft Gangs Exposed do të transmetohet më 19 qershor, ora 20:00 në Channel 4.