Një 43-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Lushnjës, pasi u kap në flagrancë duke shpërndarë doza kokaine në një tabakino në lagjen “Skënder Libohova”. I arrestuari është identifikuar si Erion Ferati.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua pas administrimit të shpejtë të informacioneve nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, të cilët arritën të lokalizonin dhe ndalonin shtetasin 43-vjeçar në momentin kur po ushtronte aktivitetin e paligjshëm.
Gjatë kontrollit, në ambientet e tabakinos në pronësi të tij, u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e ndarë në doza të gatshme për shitje, e cila tashmë do të përdoret si provë materiale në procesin hetimor.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ku ndaj Feratit pritet të ngrihet akuza për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.







