Policia e Pogradecit ka arrestuar një 27-vjeçar me precedent të mëparshëm penal për vrasje, në kuadër të një operacioni antidrogë dhe antiarmë. Fabian Muçollari, banues në lagjen nr. 1 të qytetit, u vu në pranga gjatë operacionit të koduar “Cold Hand”, zhvilluar nga strukturat e antidrogës dhe krimeve të rënda të DVP Korçë.
Sipas policisë, Muçollari u kap në flagrancë në momentin që posedonte kokainë dhe armë zjarri, përfshirë dy pistoleta, një silenciator dhe tre krehra, ndërsa në automjetin e tij u gjet edhe një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, një shkop metalik, pasaportë biometrike, dy karta banke, pesë celularë dhe valutë të ndryshme (lekë, euro dhe dollarë australianë).
“27-vjeçari rezulton me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i dënuar më parë për vrasje dhe vrasje të mbetur në tentativë,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjatë operacionit u sekuestruan sendet e mësipërme si dhe automjeti i tij. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, si dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
Policia apelon qytetarët të vijojnë bashkëpunimin për denoncimin e veprimtarive të paligjshme, duke siguruar ruajtjen e anonimatit dhe reagimin e menjëhershëm të strukturave të rendit.







