Milani ka shënuar një objektiv të qartë për merkaton e verës: Granit Xhaka. Sipas mediave italiane, drejtori sportiv i kuqezinjve, Igli Tare, ka udhëtuar ditën e djeshme drejt Gjermanisë për të zhvilluar bisedime direkte me mesfushorin shqiptar dhe përfaqësuesit e tij.
Tare po ndjek një strategji personale për ta bindur 31-vjeçarin që të veshë fanellën kuqezi, duke e prezantuar projektin ambicioz të Milanit që synon të ndërtojë një mesfushë “galaktike” me Xhakën dhe Luka Modric në qendër.
Aktualisht, Xhaka është nën kontratë me Bayer Leverkusen, ku luajti një rol kyç në sezonin historik të klubit, por transferimi i tij nuk pritet të jetë i lehtë. Leverkuseni ka humbur tashmë figura të rëndësishme si trajneri Xabi Alonso, Jonathan Tah, Frimpong dhe Florian Wirtz, dhe drejtori sportiv Simon Rolfes është në presion për të mbajtur balancat.
Megjithatë, fakti që Tare ka fluturuar drejt Gjermanisë shihet si sinjal i qartë i vendosmërisë së Milanit për ta bërë të tyrin Xhakën, me ditët në vijim që pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e mesfushorit shqiptar.
Nëse transferimi finalizohet, tifozët kuqezi mund të ëndërrojnë një dyshe mesfushore të denjë për Champions: Xhaka – Modric.







