Pamje rrëqethëse nga Kievi tregojnë një baba të gjunjëzuar dhe të shkatërruar nga dhimbja, ndërsa qante para një ndërtese të rrënuar nga një raketë ruse – ndërtesë që i kishte zënë poshtë të birin gjatë një sulmi shkatërrimtar në kryeqytetin ukrainas.
Fotografia u realizua të dielën pas një bombardimi nëntëorësh që la të paktën 15 të vdekur dhe 139 të plagosur, sipas autoriteteve ukrainase.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se më shumë se 440 dronë dhe 32 raketa u lëshuan nga Rusia gjatë natës, ndërsa një godinë nëntëkatëshe u shkatërrua plotësisht, duke fshirë dhjetëra apartamente.
“Sulmi ndaj Kievit ishte një nga më të tmerrshmit që kemi përjetuar,” tha Zelensky, ndërsa paralajmëroi se Rusia po vepron me barbarizëm të qëllimshëm, në të njëjtën kohë që bën propagandë për paqe.
Sulmet ndodhën pikërisht në kohën kur kryeministri britanik Keir Starmer u takua me presidentin ukrainas gjatë samitit të G7 në Kanada. Ndërkohë, Donald Trump e la samitin më herët, duke shmangur një takim me Zelenskyn – një akt që shumë e panë si fyerje diplomatike.
I pyetur nëse Trump e kishte nënvlerësuar rëndësinë e G7-s, Starmer tha: “Jo, aspak.” Ai shtoi se “ka nevojë për një armëpushim të pakushtëzuar” dhe theksoi se Britania po “rrit presionin” ndaj Rusisë me 30 sanksione të reja, duke goditur sektorin financiar, energjetik dhe ushtarak rus, përfshirë edhe flotën e naftës së Putinit.
“Këto masa godasin direkt në zemër të makinerisë së luftës së Putinit,” deklaroi Starmer. “Ndërsa ai injoron paqen, ne nuk do ndalemi së shtrënguari vidën ndaj tij.”
Megjithatë, vendet e G7 nuk arritën të bien dakord për një ulje të çmimit tavan për naftën ruse, një hap që Britania e mbështet por që SHBA thuhet se e kundërshton.
Në një reagim të ashpër, zëvendësministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybiha deklaroi se sulmet ndaj Kievit gjatë G7-s janë dëshmi e mosrespektimit total të Putinit ndaj Perëndimit:
“Rusia nuk kërkon paqe – ajo godet zemrën e Ukrainës, ndërkohë që shtiret se kërkon zgjidhje diplomatike.”










