Një çift britanik ka bërë një kthesë të papritur dhe mbresëlënëse në jetën e tyre: nga dëshira për të zvogëluar banesën, ata kanë përfunduar duke blerë një ishull privat me një vilë 13-dhomëshe në lumin Thames, me vlerë 3 milionë paund.
Andy dhe Sheila Hill, një çift në të 60-at nga Richmondi, Londra jugperëndimore, u magjepsën nga ishulli i braktisur D’Oyly Carte Island, pranë Weybridge, ndërsa po lundronin me kajak disa vite më parë. Edhe pse shtëpia ishte në gjendje të degraduar, Sheila – ish-studente e Royal College of Art – pa potencialin për ta rikthyer në jetë.
Pas viteve pritje, në 2021 pronari i ishullit i kontaktoi dhe çifti vendosi të ndërmarrë projektin ambicioz. Me ndihmën e dy fëmijëve të tyre arkitektë, ata nisën restaurimin total të vilës, duke përfshirë riparimin e një kupole qelqi të shkatërruar dhe transformimin e shtëpisë së vjetër të varkave në një bar me emrin “D’Oyly’s”.
“Ishte vendimi më i mirë që kemi marrë ndonjëherë”, tha Andy, një sipërmarrës në industrinë e muzikës. “Ka qenë punë e madhe, por çdo ditë shohim përparim dhe jemi të lumtur që i dhamë jetë një vendi me kaq shumë histori.”
Shtëpia e re është kthyer në një qendër aktivitetesh për familjen – nga festa madhështore, deri te koncerte verore dhe klasa Pilatesi. Madje Princesha Anne e vizitoi ishullin këtë shkurt për të falënderuar çiftin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të zonës. Ishulli ka qenë dikur në pronësi të impresarios së famshëm të shekullit XIX, Richard D’Oyly Carte, i njohur për ndërtimin e hotelit Savoy dhe bashkëpunimin me Gilbert & Sullivan.
Ndërkohë, trendi i jetesës në ishuj në lumin Thames po tërheq gjithnjë e më shumë britanikë. Një çift i ri, Sacha Pritchard dhe Matt King, janë zhvendosur në një ishull të vogël në Hampton dhe pretendojnë se po kursejnë mbi 20 mijë paund në vit në qira.
Megjithatë, jeta në ishull nuk vjen pa sfida: mungesa e urave, izolimi në mot të keq dhe vështirësitë me shërbimet emergjente janë disa prej tyre. Një familje në Pharaoh’s Island humbi shtëpinë nga një zjarr, me shërbimet zjarrfikëse të pamundura për të ndërhyrë me kohë.
E megjithatë, për shumë prej këtyre banorëve të rinj të “paraajsës së vogël”, jeta në ishull është sakrificë që ia vlen – një oaz qetësie dhe kreativiteti larg zhurmës urbane.














