FLASH :

Plakja më e shpejtë në Europë: Shqipëria kalon nga vendi më i ri në mesin e më të vjetërve brenda 14 vitesh

Shqipëria po përjeton një tronditje demografike pa precedent në kontinentin europian. Nga një vend me popullsinë më të re në Europë në vitin 2010, ku mosha mediane ishte vetëm 31.9 vjeç, në vitin 2024 vendi u rendit mes 11 shteteve më të plakura të Europës me një moshë mediane prej 44.3 vjeç, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat.

Kjo do të thotë se sot gjysma e popullsisë shqiptare është mbi 44.3 vjeç – një rritje me 12.4 vite brenda vetëm 14 vjetësh. Asnjë vend tjetër në Europë nuk ka përjetuar një rritje kaq të shpejtë të moshës mediane. Ndërsa mesatarja e BE-së është rritur me 3.4 vjet, ritmi shqiptar është katërfish më i lartë.

Italia mban vendin e parë me popullsinë më të plakur në Europë (48.7 vjeç), e ndjekur nga Bullgaria, Portugalia, Greqia dhe Spanja. Shqipëria ndan vendin me Hungarinë në këtë renditje, ndërkohë që Kosova vijon të jetë ndër vendet me popullsi më të re, me moshë mediane vetëm 34 vjeç.

Ekspertët fajësojnë dy faktorë kryesorë për këtë përmbysje të shpejtë demografike: emigracionin masiv të të rinjve dhe rënien e ndjeshme të fertilitetit nën nivelin 1.5 lindje për grua. Vetëm gjatë periudhës 2023-2024, Shqipëria humbi neto 72 mijë banorë – shumica në moshë pune dhe drejt vendeve si BE, Britania dhe SHBA.

Nëse trendi vazhdon, forca e punës në vend rrezikon të tkurret me 8% deri në vitin 2030, duke kërcënuar rritjen ekonomike dhe mbajtjen e sistemit të pensioneve.

Demografët paralajmërojnë se Shqipëria po përjeton një “shok demografik” dhe kërkojnë politika urgjente për frenimin e emigracionit, kthimin e diasporës dhe nxitjen e lindjeve përmes masave mbështetëse për familjet dhe të rinjtë.