Në vitin 1973, në kampusin e një shkolle private pranë Uashingtonit, një vajzë 14-vjeçare u rrëmbye dhe u vra në mënyrë brutale. Emri i saj ishte Tasha, dhe motra e saj më e vogël, Helen Kirwan-Taylor, atëherë vetëm 12 vjeç, ka zgjedhur ta ndajë sot këtë histori të dhimbshme, me shpresën se mund të sjellë dritë mbi pasojat e heshtura të traumës, dështimet e institucioneve dhe tronditjet që nuk shërohen kurrë.
Tasha ishte një vajzë energjike që po nxitohej për në kishë, kur u ndal pranë një zone pyjore – e frikshme për shumë të tjera, por jo për të. Aty u përball me John Gilreath-in, një burrë 22-vjeçar, i gjatë pothuaj dy metra, i cili kishte më parë sulmuar seksualisht dy vajza të tjera të po asaj shkolle. Gjithsesi, pavarësisht krimeve të mëparshme, ai ishte liruar nga një spital psikiatrik dhe askush nuk ishte njoftuar. Ai e torturoi Tashën, e goditi dhe e la të lidhur në një pemë në temperaturë të ftohtë. Trupi i saj u gjet mëngjesin tjetër – jo nga policia, por nga babai i saj, që kishte marrë qenin e familjes për kërkim.
Policia ishte njoftuar pasdite, por nuk mbërriti për dhjetë orë. Kishte dështim në çdo hallkë: as shkolla nuk kuptoi mungesën, as autoritetet nuk reaguan në kohë. Trauma e kësaj ngjarjeje la plagë të thella jo vetëm në familje, por edhe tek shoqet e klasës së Tashës, shumë prej të cilave sot vuajnë nga depresioni dhe ankthi. Për dekada, shkolla refuzoi të përmendë emrin e saj, e frikësuar nga përgjegjësia.
Sot, Helen flet për ndjesinë e pafuqisë, për frikën që ende i kthehet në trup sa herë nuk i përgjigjet një familjar në telefon, për funeralin me arkëmortin e hapur që i la njolla të përhershme në kujtesë. Ajo krahason vuajtjen e saj me atë të prindërve të Madeleine McCann, vajzës së zhdukur në Portugali më 2007, duke kuptuar dhimbjen që sjell mungesa e përgjigjes, pritja pa fund, fajësimet, dhe gjyqet publike.
“Nuk ka mrekulli që të shërojnë traumën,” shkruan Helen. “Vetëm kur të më thotë trupi im se jam e sigurt, do të mund të marrë frymë plotësisht.” Historia e saj nuk është thjesht një kujtim tragjik i një kohe të shkuar, por një kujtesë e fuqishme se sa pak është bërë për të mbrojtur fëmijët dhe për të trajtuar plagët e thella që nuk shihen. Dhe mbi të gjitha, është një thirrje për drejtësi dhe dinjitet për ata që nuk patën mundësinë të flasin vetë.









