Doja Cat ka reaguar ashpër ndaj një momenti që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, ku shfaqet në një përqafim të ngushtë me influencuesin Pablo Tamayo, gjatë një eventi në Huntington Beach, Kaliforni. Në videon virale, Tamayo i jep këngëtares një fanellë me mbishkrimin “hot boys kiss boys” dhe e puth atë në faqe. Por pas këtij momenti, Doja Cat e bëri të qartë se ndonëse ajo u duk e buzëqeshur, nuk ndjehej aspak rehat.
Në një seri postimesh në X (ish-Twitter), të cilat tashmë janë fshirë por kanë qarkulluar me screenshot, ajo shkruan:
“Në fund të ditës, mund të të buzëqesh, por kjo nuk do të thotë që të lejoj të më prekësh. Dhe të më puthësh pa e ditur as emrin tim? Është e çmendur.”
Ajo shtoi se duhet të mësojë të reagojë në moment dhe se “e hodhi atë fanellë të ndyrë direkt në plehra.”
Pas kritikave nga fansa që i kujtuan se ajo vetë e kishte ftuar përqafimin, Doja u përgjigj me sinqeritet: “Isha shumë e dehur, nuk di çfarë t’ju them.” Ajo pranoi se ndjeu siklet për mënyrën sesi u trajtua dhe theksoi rëndësinë e vendosjes së kufijve: “Ai u soll shumë rehat, pa më pyetur fare për leje.”
Pablo Tamayo reagoi me një video në TikTok ku kërkoi falje:
“E adhuroj Doja Cat. S’doja ta vija kurrë në siklet. Ajo është një yll, unë jo. E kuptoj që duhet të vendosë kufij dhe e respektoj plotësisht.”
Ky incident ka rindezur debatin mbi respektin për hapësirën personale të artistëve dhe faktin që sjellja miqësore në publik nuk nënkupton pëlqim për kontakt fizik të papritur. Doja Cat, me qëndrimin e saj, dërgon një mesazh të qartë: të qenit yll nuk do të thotë të pranosh çdo ndërhyrje.