Në një kohë kur korrupsioni, nepotizmi, “miku” dhe falsifikimet janë mjetet që pinë më shumë ujë për regjistrimin e fëmijëve të qytetarëve të Tiranës në kopshtet dhe çerdhet publike, Mirlinda Karçanaj e AKSHI, duke u shfaqur tërësisht e shkëputur nga realiteti ku jeton dhe e përkujdesur më tepër që të lëvrojë tenderin e radhës shumë milionësh, e ka gjetur zgjidhjen me “shkopin magjik”, regjistrim online!
Në fakt ndërsa këtë vit i gjithë procesi do të realizohet online, përmes një platforme të dedikuar ne adresën e-femijet.tirana.al, problemet më të shpeshta me të cilët përballen prindërit janë:
1. Regjistrimi me mik ose para nga zonat e tjera për në qendër, duke lënë ata në qendër pa institucion arsimor publik, pra nepotizmi.
2. Regjistrohen me kontrata fiktive qiraje ose huapërdorjeje, duke ngarkuar kopshtet dhe çerdhet në qendër, s’ka as transparencë, as kontroll.
3. Sistemi që ka vetë bashkia për çerdhet nuk është funksional, sepse mjafton të shkosh të takosh kryetarët e njësive vendore dhe të regjistrojnë në zyrë me para.
Kjo i detyron prindërit të shkojnë në privat e të paguajnë 10 fish.
Pa harruar lagje të tëra gjigande në Tiranë, të cilat nisën si zona informale, por që sot edhe pse banohen nga dhjetëra mijëra qytetarë, nuk kanë as kopshte dhe as çerdhe publike, si zona e Astirit dhe ajo e Farkës.
Së fundmi, gjithsesi, kur një prind e regjistron fëmijën e tij në një kopësht apo çerdhe, pasi ka dhënë ryshfet apo ka falsifikuar dokumentat, ai ose ajo përballet gjithsesi në mjaft raste me faktin që mund të mos gjejë një shtrat dhe mjetet e nevojshme higjeno sanitare për fëmijën dhe është i/e detyruar ti blejë vetë, madje ka disa çerdhe, në të cilat nuk ka as lodra, pa harruar se shumica e prindërve, detyrohen t’u japin para’ edukatoreve për t’i parë me syrin selektiv fëmijët dhe këtu kemi diskriminim.
E pra. Shkopi magjik i zgjidhjeve online të Mrilindës së AKSHI-t, nuk është gjë tjetër veçse një shkëputje totale e saj nga realiteti ku jeton.
Fundja politikanët, fëmijët e tyre i çojnë në privat ose jashtë vendit, dhe jo në publiken e ndritur, që vetë kanë krijuar.







