FLASH :

“Karvanë kundër banorëve”: Banorët e Bristolit ngrenë zërin ndaj kampit të furgonëve, ndërsa banorët e karvanëve thonë se ata e bëjnë zonën më të sigurt

Tensionet në qytetin e Bristolit kanë arritur një pikë kritike, teksa dhjetëra persona që jetojnë në karavana dhe furgonë në zonën e njohur si The Downs po përballen me sulm verbale, gurë, dhe thirrje për t’u larguar nga ana e banorëve lokalë.

Craig Collier, 44 vjeç, inxhinier softuerik që jeton në furgonin e tij në Clifton prej tre vitesh, tha për MailOnline se “një grusht banorësh të tipit ‘jo në lagjen time’ (NIMBYs)” qarkullojnë natën me makina, bëjnë zhurmë me boritë dhe u thërrasin sharje.

“Na godasin karavanët, na hedhin gurë, fëmijë me biçikleta i përplasin me qëllim. Nuk ka pasur dhunë fizike, por ndihesh i pasigurt kur je brenda një furgoni dhe dikush është jashtë duke bërtitur.”

Craig thotë se e zgjodhi këtë zonë sepse është më e sigurt dhe për faktin se ka lehtësi si tualet publik dhe hapësira të gjelbra. Ai madje argumenton se prezenca e tyre ka reduktuar sjelljet e rrezikshme, si aktet seksuale në publik që kishin ndodhur prej vitesh në këtë zonë.

“Në të kaluarën këtu kishte seks nëpër shkurre, voyeurizëm, vende për ekshibicionizëm. Tani që jemi ne këtu, këto gjëra janë zhdukur.”

Një tjetër banor i kampit, që jeton në karavan me qentë e tij prej katër vitesh, tha:

“Unë pastroj mbeturinat, mbledh plehra. Nuk jemi të gjithë njësoj. Ka një pakicë që e ndot ambientin, por shumica prej nesh duam që zona të jetë e rregullt dhe e sigurt.”

Ndërkohë, banorët e zonës pretendojnë për rritje të ndjesisë së pasigurisë, përdorim droge dhe sjellje antisociale. Bashkia e Bristolit ka marrë mbi 1,500 ankesa, por thekson se disa raportime përmbajnë edhe gjuhë urrejtjeje dhe paragjykime ndaj komunitetit të banorëve në automjete.

Situata u përkeqësua më tej të enjten kur gjatë një interviste direkte për BBC-në me Tony Nelson – drejtues i grupit “Protect the Downs” – një nga banorët e karavanëve ndërhyri fizikisht dhe sulmoi kameramanin, madje u përplas edhe me vetë Nelsonin. Policia po heton incidentin dhe ka kërkuar informacione nga dëshmitarët.

Sfondi i krizës

Numri i njerëzve që jetojnë në automjete në Bristol është rritur ndjeshëm që nga viti 2020, veçanërisht për shkak të çmimeve të papërballueshme të qirasë, duke e bërë qytetin më të shtrenjtin për të jetuar pas Londrës. Vetëm në The Downs mendohet të banojnë rreth 107 persona, që e bën atë kampin më të madh në qytet.

Craig tregon se jeta në furgon i ka ndryshuar jetën për mirë:

“Në tre vite kam shlyer mbi 40 mijë paund borxhe dhe kam mbaruar një diplomë në inxhinieri mekanike. Nëse nuk do të jetoja kështu, do isha ende në borxhe.”

Reagimi institucional

Tony Nelson, pas incidentit me banorin e furgonit, tha për BBC-në:

“Njerëzit janë të lodhur nga neglizhenca e bashkisë. Ata ndihen sikur u është rrëmbyer parku publik.”

Një peticion për largimin e kampit ka mbledhur mbi 7,500 firma.

Këshilltari Barry Parsons nga Komiteti i Banesave tha se janë identifikuar 640 deri në 680 automjete të banuara në qytet, përfshirë edhe ata që janë vendosur në toka publike apo private në mënyrë të paligjshme.

Ai paralajmëroi se Bashkia po kërkon një urdhër gjykate për të ndaluar furgonët dhe karavanët të parkohen në hapësirat me bar të Downs dhe Ladies Mile, duke e quajtur këtë një situatë komplekse që kërkon qasje të balancuar mes të drejtave dhe rendit publik.