Kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney, i dha fund me vendosmëri konferencës për shtyp të Donald Trump gjatë nisjes së samitit të G7, duke ekspozuar në mënyrë të dukshme një betejë të heshtur për dominim politik.
Samiti i sivjetshëm i Grupit të Shtatë zhvillohet në rajonin malor Kananaskis të Kanadasë, ku Carney mban rolin e mikpritësit si lider i zgjedhur rishtazi. Por që në minutat e para, presidenti amerikan u tregua kritik ndaj përjashtimit të Rusisë nga G8 në vitin 2014 dhe sulmoi paraardhësin liberal të Carney-t, Justin Trudeau.

Ndërsa Trump po fliste gjatë konferencës për shtyp, Carney e ndërpreu në mënyrë të prerë:
“Nëse nuk ju shqetëson, do ta ushtroj rolin tim si kryetar i G7-s, pasi kemi edhe pak minuta me presidentin dhe duhet të nisim takimin për të diskutuar çështje madhore.”
Më pas ai u kërkoi gazetarëve të largoheshin nga salla, vetëm tetë minuta pas nisjes së ngjarjes, ndërkohë që Trump dukej i gatshëm të vazhdonte.
Ekspertja e gjuhës së trupit Judi James komentoi për Daily Mail se Trump erdhi me një energji të lartë pas paradës ushtarake të fundjavës dhe paraqitej si “udhëheqësi global me ego të fryrë”. Në kontrast, Carney shfaqi shenja të vetëkontrollit emocional dhe ndjenja të përmbajtura, teksa Trump e dominonte skenën.
Carney e nisi fjalën e tij me një urim për ditëlindjen e ushtrisë amerikane dhe vetë presidentit, ndërsa përmendi edhe 50-vjetorin e G7-s:
“G7 nuk do të kishte kuptim pa udhëheqjen e SHBA-së, dhe konkretisht pa udhëheqjen tuaj personale.”
Trump theksoi se marrëdhënia me Carney ishte “shumë e mirë” dhe se do të diskutonin për tregtinë. Por më pas, ai nisi kritikat e zakonshme ndaj G7-s dhe përjashtimit të Rusisë nga grupi:
“G7 dikur ishte G8. Obama dhe një person me emrin Trudeau nuk donin Rusinë. Ishte një gabim. Nuk do të kishim luftë sot nëse Rusia do të ishte pjesë e grupit. Po ashtu, nuk do të kishim luftë nëse Trump do të ishte president katër vjet më parë.”


James thekson se Trump përdor një “pozë pushteti”, me krahet drejt poshtë dhe gjoksin të fryrë, ndërsa e përmend veten në vetën e tretë, si të ishte një super-hero.
Që nga dhjetori 2024, pas një takimi me Trudeau në Mar-a-Lago, Trump kishte sugjeruar se Kanadaja duhet të bëhet “shteti i 51-të” i Amerikës – një deklaratë që e vendos Carney-n në një situatë të vështirë diplomatike.
Sipas James, Carney ruan qëllimisht distancën fizike dhe qëndron në një pozicion të ftohtë pritjeje, me duart pas shpine – një gjest që shpreh dëshirë për të shmangur çdo kontakt. Gjatë takimit, ai shfaq një buzëqeshje të përmbajtur dhe të sforcuar, ndërsa herë pas here jep sinjale pakënaqësie: nga një shtërngim nofullash te një shikim i ftohtë i përqendruar te Trump.
Kur Trump propozon rikthimin e Rusisë në G7, Carney reagon me një grimasë që James e përshkruan si “sikur po thith një limon”.
Gjatë pyetjeve, Trump theksoi se ai dhe Carney kishin “koncepte të ndryshme” për tregtinë – një deklaratë që Carney e kaloi me një shikim shpotitës dhe një të qeshur të sforcuar, shoqëruar me një guiim për shtypin, si për të thënë se gjithçka është thjesht lojë diplomatike.
Më pas, Trump foli për konfliktin mes Izraelit dhe Iranit dhe përjashtoi përkohësisht përfshirjen e Putinit në diskutimet e G7 për Ukrainën. Por kur kaloi sërish në ofendime ndaj Obamës dhe Trudeau, duke e quajtur këtë të fundit “krenarin tuaj” me një ton ironik drejtuar Carney-t, mimika e kryeministrit kanadez ndryshoi ndjeshëm.
James vëren se në ato momente Carney nisi të lëkundej nga një këmbë te tjetra dhe zgjati krahun për të sinjalizuar përfundimin e takimit.
Trump nuk ndaloi së foluri, madje iu përgjigj edhe një pyetjeje për dërgimin e ICE në qytetet demokrate. Por Carney nuk e duroi më. Me një gjest prerës, u kërkoi gazetarëve të largoheshin, dhe më pas u afrua përpara me duar të ngritura duke thënë: “po ushtroj rolin tim, kjo ishte e gjitha”, duke i dhënë fund papritur dhe pa shumë ceremoni konferencës për shtyp.







