Anglia rrezikon një mungesë katastrofike të ujit prej 5 miliardë litrash në ditë deri në vitin 2055, paralajmëron Agjencia e Mjedisit, duke fajësuar ndryshimet klimatike, rritjen e popullsisë dhe kërkesën në rritje nga bizneset dhe industritë.
Në një raport të ri kombëtar për burimet ujore, agjencia thotë se pa masa urgjente për reduktimin e humbjeve, ndërtimin e rezervuarëve të rinj dhe uljen e konsumit, pasojat do të jenë të shumta:
- dëmtim i mjedisit
- ndalesa në furnizim
- rrezik për prodhimin ushqimor
- pengesa për rritjen ekonomike
Zona më e rrezikuar është juglindja e Anglisë, ku deri në vitin 2055 do të nevojiten 2 miliardë litra shtesë uji në ditë.
60% e mungesës duhet të zgjidhet nga vetë kompanitë e ujit – duke reduktuar humbjet nga rrjeti dhe menaxhuar më mirë kërkesën.
Pjesa tjetër do të përfshihet përmes:
- ndërtimit të rezervuarëve të rinj
- impianteve të desalinizimit
- transferimit të ujit nga zona më të lagështa drejt atyre më të thata
Fotot ajrore nga rezervuarët Baitings dhe Woodhead tregojnë shkallën alarmante të thatësisë, ndërsa në veri të Anglisë dhe Yorkshire është shpallur zgjatje e periudhës së thatësirës më të keqe në mbi 100 vjet.
Ndërkohë, industria e teknologjisë dhe qendrat e të dhënave shtojnë presionin – vetëm për prodhimin e hidrogjenit dhe kapjen e karbonit do të nevojiten 767 milionë litra ujë në ditë deri në vitin 2050.
Agjencia kërkon që qeveria dhe kompanitë të përshpejtojnë ndërtimin e rezervuarëve, të nxisin matës të zgjuar uji dhe etiketa për efikasitetin e pajisjeve, ndërsa qytetarët këshillohen të:
- reduktojnë kohën e dushit
- fikin ujin gjatë larjes së dhëmbëve
- përdorin lavatriçe dhe lavastovilje vetëm kur janë plot
- mbledhin ujë shiu për kopshtet
Kreu i Agjencisë së Mjedisit, Alan Lovell, paralajmëroi:
“Ky deficit kërcënon jo vetëm ujin në rubinet, por edhe rritjen ekonomike, prodhimin ushqimor dhe vetë jetesën tonë të përditshme.”
Qeveria thotë se ka siguruar 104 miliardë paund investime nga sektori privat për infrastrukturën e ujit, por qytetarët janë të zemëruar për shkak të rritjes së faturave, ndotjes në lumenj dhe det, si dhe bonuseve për drejtuesit e kompanive.












