Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke kërkuar “evakuimin e menjëhershëm të Teheranit”, mes përshkallëzimit të luftës me Izraelin. Përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, Trump deklaroi se Irani ka bërë një gabim fatal duke mos firmosur marrëveshjen bërthamore që ai kishte propozuar para fillimit të sulmeve izraelite.
“Irani duhet të kishte firmosur marrëveshjen që i thashë të firmosnin. Çfarë turpi dhe humbje jetësh. Thënë thjesht: IRANI NUK MUND TË KETË NJË ARMË BËRTHAMORE. E kam thënë pa pushim! Të gjithë duhet të evakuojnë menjëherë Teheranin,” shkroi ai.
Deklarata vjen ndërsa lufta midis dy armiqve historikë po hyn në ditën e pestë, dhe Izraeli ka intensifikuar bombardimet mbi objektivat bërthamore të Iranit.
Ndërkohë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mohojnë çdo përfshirje në sulmet ndaj Iranit, por burime izraelite raportojnë se administrata Trump po përgatit një plan për t’iu bashkuar luftës, nëse presidenti jep urdhrin.
“Komanda Qendrore Amerikane është e gatshme të ndërhyjë, por disa zyrtarë të lartë në administratë po kundërshtojnë planin,” tha një burim për i24 News, menjëherë pasi Trump u largua herët nga samiti i G7.
Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lënë të hapur mundësinë e një atentati ndaj liderit suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei, duke thënë se një veprim i tillë “do t’i jepte fund konfliktit.”
Në një intervistë të jashtëzakonshme 20-minutëshe për ABC News, Netanyahu tha:
“Khamenei është një Hitler modern. Irani kërkon një ‘luftë të përjetshme’, dhe ne jemi në prag të një lufte bërthamore. Vetëm duke qëndruar kundër së keqes mund ta ndalim këtë.”
Pyetur nëse SHBA kishte ndaluar më parë një atentat të tillë, Netanyahu u tregua i prerë:
“Nuk do të përshkallëzojë konfliktin, do t’i japë fund.”
Kriza Iran-Izrael duket se po hyn në një fazë dramatike dhe të paparashikueshme, ndërsa bota vëzhgon me frikë zhvillimet që mund të nisin një konflikt bërthamor në Lindjen e Mesme.







