FLASH :

Dhunë në familje në Tiranë, arrestohet 37-vjeçari që kërcënoi gruan me thikë para fëmijëve

Një ngjarje e rëndë dhune në familje është parandaluar në kohë nga policia në fshatin Pezë Helmes të Tiranës. Një 37-vjeçar ka përfunduar në pranga pasi ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, në prani të fëmijëve të mitur. Përveç dhunës, burri e ka kanosur gruan me një mjet prerës, duke shkaktuar panik në familje.

Gjatë ndërhyrjes në banesë, efektivët e policisë kanë sekuestruar një armë gjahu dhe mjetin prerës që u përdor për kërcënim. Uniformat blu njoftuan se falë reagimit të menjëhershëm u parandalua përshkallëzimi i mëtejshëm i dhunës dhe u shmang një ngjarje që mund të kishte pasoja fatale. 37-vjeçari do të përballet me akuzat për dhunë në familje dhe mbajtje të paligjshme të armëve.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Pezë Helmes, një shtetas po ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe po e kanoste atë, me mjet prerës, kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta është bërë neutralizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 37 vjeç. Ky shtetas, ditën e djeshme, në banesë, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe e ka kanosur atë me mjet prerës, në prezencë të fëmijës së tyre.    

Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën një armë gjahu që 37-vjeçari e mbante pa leje.   

Arma e gjahut dhe mjeti prerës i dyshuar i përdorur për kanosjen u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.