Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Loran Dushën, ish-administratorin e inceneratorit të Fierit, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Zimbabve drejt Shqipërisë, pas një arratie të gjatë.
Dusha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar ndërsa ndaj tij zhvilloheshin hetime nga SPAK dhe procesi gjyqësor në mungesë në Gjykatën e Posaçme për akuzat e “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”. Në Shkallën e Parë, ai u dënua me 7 vite burg, por Gjykata e Apelit e Posaçme e ktheu çështjen për rigjykim, duke përfshirë edhe bashkëpandehurit e tjerë në dosjen e inceneratorit të Fierit.
Ekstradimi i Dushës shihet si një hap i rëndësishëm për zbardhjen e plotë të kësaj skeme të dyshuar korruptive, ndërsa SPAK pritet të thellojë hetimet për zinxhirin e përgjegjësive në aferën e inceneratorëve.