Policia e Shtetit ka vijuar operacionin kundër kultivimit të kanabisit në qarkun e Shkodrës, duke zbuluar dhe asgjësuar një tjetër numër të madh bimësh narkotike. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve në terren janë gjetur 1408 bimë të dyshuara si kanabis sativa, të mbjella në parcela të ndryshme.
Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar një 34-vjeçar, Denis Gjini, i cili dyshohet se është autori i kultivimit të 130 prej këtyre bimëve, të identifikuara në fshatin Gomsiqe. Policia thotë se hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Bimët narkotike janë asgjësuar menjëherë përmes procesit të djegies, ndërkohë që autoritetet paralajmërojnë kontrolle të pandërprera në zonat e thella dhe të pyllëzuara të qarkut Shkodër, ku fenomeni i kultivimit të drogës mbetet ende një sfidë serioze.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë gjetur të kultivuara dhe kanë asgjësuar 1408 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, konkretisht:
-Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë gjetën në fshatin Gomsiqe, 130 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi D. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, i cili dyshohet se ka kultivuar këto bimë, të cilat u asgjësuan me me anë të djegies.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësisë administrative Temal, dhe asgjësuan 1278 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata”, vijon.







