FLASH :

Tragjedi në Itali: 19-vjeçari italo-shqiptar goditet për vdekje nga treni para syve të miqve

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë mëngjesin e së dielës. Një 19-vjeçar italo-shqiptar humbi jetën tragjikisht pasi u përplas nga një tren i linjës Malpensa Express që ishte nisur nga Milano. Ngjarja ndodhi në Castano Primo, në veri të kryeqytetit lombard.

Sipas raportimeve të para, i riu po përpiqej të kalonte shinat për t’u bashkuar me miqtë e tij që ndodheshin në anën tjetër të stacionit, por u godit nga treni me shpejtësi të lartë. Tragjedia ndodhi brenda sekondash, pikërisht para syve të shokëve të tij, të cilët mbetën të tronditur.

Mediat italiane shkruajnë se viktima ndoshta nuk e kishte parë trenin që po afrohej ose kishte menduar se do të arrinte të kalonte me kohë. Përplasja rezultoi fatale dhe 19-vjeçari humbi jetën në vend nga dëmtimet e rënda.

Autoritetet po hetojnë ngjarjen duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë së stacionit dhe dëshmitë e të pranishmëve. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi, ndërsa familja e të riut është njoftuar për tragjedinë që i ka tronditur të gjithë.