FLASH :

Vrasja e Gentiana Hudhrës në Itali, ish-burri mbërriti me një skuter në vendngjarje! E goditi 10 herë me thikë e më pas me shkelma! Dëshmia: E bëra për të çliruar fëmijët

Një tjetër akt i rëndë dhune ndaj grave ka tronditur Italinë, ku një shqiptare 45-vjeçare, Gentiana Hudhra (e njohur edhe si Gentiana Kopili), u vra brutalisht nga ish-bashkëshorti i saj në mes të rrugës, në qytetin Tolentino të provincës Macerata. Ngjarja ndodhi të shtunën mbrëma, ndërsa 55-vjeçari Nikollaq Hudhra, autor i dyshuar dhe tashmë i arrestuar, e kishte planifikuar krimin me detaje makabre.

Sipas dëshmive të para dhe hetimeve, Hudhra mbërriti në vendngjarje me një monopatinë elektrike për të shmangur identifikimin nga viktima, pasi ajo njihte makinën e tij. Ai e goditi fillimisht nga pas me një thikë rreth 30 cm të gjatë – ndërsa ajo ishte duke folur në telefon me një shoqe – dhe më pas e qëlloi disa herë të tjera, për një total prej rreth 10 plagësh me thikë. Pasi ra në tokë, viktima u godit edhe me shkelma.

Pamjet e sulmit u filmuan nga disa dëshmitarë nga dritaret përreth. Pasi kreu aktin, autori u ul qetësisht në një stol pranë trupit të pajetë dhe tha: “Bëra atë që duhej të bëja. Tani telefononi karabinierët”.

Në makinën e tij u gjet një set thikash, ndërsa arma e krimit ishte fshehur në xhepin e pantallonave të punës. Në dëshminë e tij para karabinierëve, Hudhra ka pranuar autorësinë, duke pretenduar se kishte vepruar “për të çliruar fëmijët”, duke akuzuar ish-bashkëshorten se “donte të helmonte atë dhe fëmijët”.

Ai deklaroi se kishte kaluar ditën me djalin e vogël, Mario, 21 vjeç, dhe më pas kishte vendosur të shkonte në Tolentino për ta vrarë Gentianën. “Ishte hera e tretë që po përpiqesha ta bëja”, rrëfeu ai. Aktualisht, autori ndodhet në burgun Montacuto në Ankona, në izolim, ndërsa pritet seanca për vlefshmërinë e arrestit.

Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën për vrasje të qëllimshme të paramenduar, të rënduar nga egërsia dhe fakti se ka vrarë një grua. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e një ekspertize psikiatrike, ndërkohë që sipas hetuesve nuk kishte pasur sinjale të fundit për një rrezik të afërt ndaj viktimës, e cila punonte rregullisht si kujdestare. Ky është femicidi i 33-të në Itali që nga fillimi i vitit.