Një ngjarje tronditëse ka tronditur opinionin publik në SHBA, ku një 57-vjeçar i identifikuar si Vance Luther Boelter është arrestuar në shtetin e Minesotës, i dyshuar për vrasjen e ligjvënëses demokrate Melissa Hortman dhe bashkëshortit të saj, Mark Hortman.
Sipas policisë, Boelter paraqitej si oficer policie në momentin kur kreu sulmin vdekjeprurës. Arrestimi i tij ndodhi të dielën në mbrëmje, pas një kërkimi intensiv dy-ditor në një zonë rurale në perëndim të Minneapolis. Ai ishte i armatosur, por u dorëzua pa rezistencë kur u rrethua nga forcat e rendit.
Melissa Hortman ishte një nga figurat më të larta të Partisë Demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve të Minesotës, dhe vrasja e saj është cilësuar nga guvernatori i shtetit, Tim Walz, si një “akt i motivuar politikisht”.
Boelter akuzohet gjithashtu për plagosjen e një tjetër ligjvënësi demokrat, senatorit John Hoffman, dhe gruas së tij Yvette, në një sulm të ndarë që ndodhi në shtëpinë e tyre vetëm disa kilometra larg vendit të vrasjes së parë.
Ky rast i fundit vjen në një kohë kur dhuna me motive politike po shtohet ndjeshëm në SHBA, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e zyrtarëve të zgjedhur dhe për retorikën ekstremiste që po përhapet në rritje në opinionin publik. Hetimet për ngjarjen e rëndë janë ende në vijim, ndërsa Boelter pritet të përballet me akuza të shumta penale.








