Një ngjarje tronditëse me motive politike ka goditur sërish SHBA-në. Autoritetet në Minnesota kanë arrestuar 57-vjeçarin Vance Luther Boelter, i dyshuar për vrasjen e dy figurave të rëndësishme të Partisë Demokrate në këtë shtet – ligjvënësja Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj, Mark Hortman.
Arrestimi u krye të dielën pas një operacioni të gjerë që zgjati dy ditë, pasi Boelter u lokalizua i armatosur në një zonë rurale në perëndim të Minneapolis, por më pas u dorëzua pa rezistencë.
Ngjarja, e cilësuar nga guvernatori i Minnesotës, Tim Walz, si një “vrasje me motive politike”, ka ngjallur reagime të forta në mbarë vendin. Sipas autoriteteve, Boelter akuzohet gjithashtu se plagosi rëndë senatorin tjetër demokrat të shtetit, John Hoffman, dhe gruan e tij, Yvette, në një sulm të ndarë në banesën e tyre.
Ky është rasti më i fundit i një serie incidentesh të dhunshme me prapavijë politike në SHBA. Vetëm gjatë viteve të fundit janë regjistruar ngjarje të tilla si sulmi ndaj bashkëshortit të Nancy Pelosi në vitin 2022, një përpjekje për atentat ndaj Donald Trump vitin e kaluar dhe djegia me zjarr e shtëpisë së guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro, në muajin prill.
Rritja e tensioneve politike dhe polarizimi ekstrem kanë ngritur alarmin për sigurinë e zyrtarëve publikë dhe rrezikun e rritjes së dhunës së motivuar ideologjikisht në SHBA. Hetimet për ngjarjen në Minnesota vijojnë, ndërsa Boelter pritet të dalë para gjykatës në ditët në vijim.









