FLASH :

Zbardhen pamje të reja nga tragjedia ajrore në Indi: Eksperti zbulon se avioni i Air India pësoi dështim të dyfishtë motorësh

Një video e re tronditëse ka dalë në dritë duke ofruar prova që sugjerojnë se avioni Boeing 787 Dreamliner i Air India, që u rrëzua në Ahmedabad të Indisë më 12 qershor, humbi fuqinë pas ngritjes, për shkak të një dështimi të dyfishtë të motorëve, çka çoi në një katastrofë ajrore me 279 viktima.

Eksperti i aviacionit dhe piloti komercial Steve Schreiber, i njohur si “Captain Steve”, analizoi videon e re me cilësi më të lartë dhe deklaroi se nën krahun e djathtë të avionit shfaqet një protruzion dhe një pikë e vogël gri, të cilat ai i identifikon si pajisja e emergjencës RAT (Ram Air Turbine) – një element që aktivizohet vetëm në rastet e emergjencave të rënda si dështimi i të dy motorëve, humbja e presionit hidraulik apo kolapsi i sistemit elektrik.

Schreiber shpjegon se tingulli i lartë dhe i veçantë në video i ngjan një motori propeleri, karakteristik për RAT-in, i cili gjeneron energji për sistemet bazë në rast të një kolapsi total teknik.

Përveç analizës vizuale dhe audio, një tjetër provë vjen nga dëshmia e vetmit të mbijetuar, britanikut Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, i cili deklaroi nga spitali se pas ngritjes, “avioni nuk po ngjitej në lartësi dhe dritat po fikeshin e ndiznin”, përpara se të përplasej me një ndërtesë dhe të shpërthente në flakë. Ai udhëtonte me vëllain e tij, Ajay Kumar, i cili humbi jetën në tragjedi.

Në bord ndodheshin 242 persona, nga të cilët vetëm njëri mbijetoi, ndërsa edhe 38 persona të tjerë në tokë humbën jetën, pasi avioni u përplas mbi një zonë të banuar pranë një kolegji mjekësor. Kapiteni Sumeet Sabharwal, i cili u vlerësua si hero nga banorët lokalë, arriti të devijonte avionin në momentet e fundit duke shmangur një bllok apartamentesh dhe duke shpëtuar jetën e 18 familjeve.

Pamjet e reja janë identifikuar si video origjinale – ndryshe nga klipi që qarkullonte më parë, i cili rezultoi të ishte një video e regjistruar nga një ekran telefoni. Kjo ka sjellë një qartësi të re në analizën teknike të momentit të rrëzimit.

Autoritetet indiane kanë nisur hetimet në bashkëpunim me ekipin britanik të Air Accidents Investigation Branch (AAIB), ndërsa sipas Air India në bord ndodheshin 169 pasagjerë indianë, 53 britanikë, 7 portugezë, një kanadez dhe 12 anëtarë ekuipazhi.

Megjithëse një version zyrtar ende nuk është konfirmuar, dëshmitë, analizat video dhe provat teknike ngrenë dyshime serioze për një defekt të rëndë teknik në avion, i cili mund të ketë rrëzuar një nga fluturimet më moderne të Air India-s vetëm sekonda pas ngritjes.