Prej disa ditësh, platforma shtetërore digjitale e-Albania, përmes së cilës qytetarët marrin shumicën e shërbimeve publike, ka dalë jashtë funksionit, duke shkaktuar kaos dhe bllokim të shumë proceseve administrative. Në dritaren e ekranit të përdoruesve shfaqet një paralajmërim që thotë: “Kujdes! Komunikimi me serverin e e-Albania nuk mund të kryhej. Verifikoni që keni akses në internet!”, ndonëse problemi nuk është tek lidhja e përdoruesve, por tek vetë serverët e platformës.
Ky kolaps teknologjik vjen në një kohë kur qeveria shqiptare, përmes Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI), ka alokuar qindra milionë euro gjatë viteve të fundit për zhvillimin, mirëmbajtjen dhe sigurinë e sistemit. Në krye të kësaj agjencie ndodhet znj. Mirlinda Karçanaj, e cila akuzohet nga shumë media dhe ekspertë të teknologjisë se ka përfituar shuma marramendëse, ndërkohë që transparenca mbi kontratat publike dhe performanca e sistemit mbetet minimale.
Platforma e-Albania është porta kryesore digjitale për aplikime në shërbime si: certifikatat e gjendjes civile, regjistrimi i pronave, dokumentet e identifikimit, pagesat e taksave, regjistrimi i automjeteve dhe plot aplikime të tjera për qytetarët dhe bizneset. Mungesa e aksesit në këtë platformë, për disa ditë radhazi, do të thotë ndalim praktik i funksioneve shtetërore për mijëra shqiptarë.
Reagimi zyrtar i institucioneve për problemet në funksionimin e platformës ka munguar, duke shtuar zemërimin publik. Ndërkohë, qytetarët që presin në sportele ose përpiqen të përfundojnë një aplikim të thjeshtë në e-Albania, hasin në një mur të heshtur, si virtualisht ashtu edhe administrativisht.
Për më tepër, situata ka ngritur dyshime serioze për sigurinë kibernetike të të dhënave personale dhe të qasjes në serverë. Kujtojmë që Shqipëria ka qenë më herët objekt i sulmeve kibernetike që goditën pikërisht sistemet shtetërore të të dhënave. Megjithatë, në këtë rast, autoritetet nuk kanë konfirmuar ndonjë sulm të ri, duke lënë gjithçka të mbuluar nga misteri dhe mungesa e informacionit.
Nëse do të kishte ndodhur kjo në një shtet perëndimor, përgjegjësit për sistemet digjitale do të kishin dhënë dorëheqjen menjëherë. Por në Shqipëri, ndonëse miliardat rrjedhin për sistemin që bie, përgjegjësia zhduket bashkë me sinjalin e internetit.