FLASH :

Spanja çmonton rrjetin shqiptar-kosovar të trafikut të emigrantëve, drogës dhe armëve – 26 të arrestuar, sekuestrime edhe në Kosovë

Një operacion ndërkombëtar i nisur që prej vitit 2019 dhe që përfshin EUROPOL, EUROJUST dhe autoritetet spanjolle e shqiptare, ka çuar në çmontimin e një organizate kriminale transnacionale shqiptaro-kosovare që merrej me trafik të emigrantëve të paligjshëm, drogës, armëve dhe dokumenteve false. Faza më e fundit e operacionit u zhvillua në rajonin e Katalonjës dhe në zona të tjera të Spanjës, si dhe njëkohësisht në Shqipëri, ku u kryen 47 kontrolle dhe u arrestuan 26 persona. Në Kosovë u zbulua dhe shkatërrua një laborator për falsifikimin e dokumenteve.

Hetimet nisën në vitin 2019, kur u zbuluan raste të shumta përdorimi pasaportash të falsifikuara nga shqiptarë që kërkonin të arrinin në Britani, Irlandë apo SHBA përmes Spanjës. Gjatë operacionit, janë arrestuar gjithsej 82 persona në vende të ndryshme të Evropës. Trafiku i emigrantëve bëhej përmes furgonëve që përdoreshin për të transportuar edhe drogë, armë dhe bizhuteri të vjedhura. Dokumentet e falsifikuara përdoreshin për të lehtësuar kalimin e kufijve në mënyrë të paligjshme. Rrjeti kishte lidhje edhe me organizata të tjera kriminale dhe plantacione droge në Katalonjë. Vetëm në Gjermani janë arrestuar 77 shqiptarë për falsifikim dokumentesh në dy vitet e fundit, ndërsa në Spanjë, mbi 270 shqiptarë janë ndaluar në aeroportet kryesore.