Një injeksion në javë në vend të një të përditshëm – ky është përparimi më i fundit që po ndryshon trajtimin e diabetit të tipit 1 dhe 2. Italia është bërë vendi i parë në Europë që miraton dhe rimburson insulinën javorë Icodec, falë vendimit të Agjencisë Italiane të Barnave (AIFA).
Zhvilluar nga kompania Novo Nordisk, Icodec lejon që pacientët të kalojnë nga 365 injeksione në vit në vetëm 52, duke sjellë një lehtësim të madh praktik dhe psikologjik, veçanërisht për të moshuarit dhe personat që varen nga kujdesi i të tretëve.
Icodec është një molekulë insuline e modifikuar që qëndron aktive për tetë ditë në organizëm, falë një lidhjeje të qëndrueshme me albuminën. Kjo e bën të mundur lëshimin gradual dhe të qëndrueshëm të insulinës, duke minimizuar rrezikun për hipoglicemi dhe duke përmirësuar kontrollin e glukozës – sidomos te pacientët me diabet të tipit 2.
Aktualisht, terapia u rekomandohet të rriturve që nuk arrijnë të menaxhojnë glukozën me trajtime të zakonshme si metformina. Për fëmijët nuk është ende e miratuar, ndërsa në diabetin e tipit 1 do të përdoret vetëm në raste të veçanta.
Autoritetet italiane e cilësojnë këtë si një hap të madh përpara në menaxhimin modern të diabetit, që përveç përfitimeve klinike, ul gabimet në administrim dhe redukton mbetjet mjekësore – një përfitim edhe për mjedisin. Për momentin, rimbursimi është i kufizuar në disa rajone, por synimi është që gjatë vitit 2025 terapia të jetë e aksesueshme për të gjithë pacientët.