FLASH :

Ja se si Mosadi sabotoi në fshehtësi mbrojtjen ajrore iraniane pak para sulmit izraelit

Shërbimi sekret izraelit Mossad ka kryer një seri sulmesh sabotuese të fshehta brenda territorit iranian, vetëm pak orë para se Forcat Ajrore të Izraelit të nisnin sulmet masive ndaj impianteve bërthamore dhe objektivave ushtarake në Iran.
Sipas një zyrtari të lartë izraelit të cituar nga gazetari Barak Ravid i Axios, Mossad drejtoi operacione të shumta të fshehta me qëllim neutralizimin e sistemeve strategjike të raketave dhe mbrojtjes ajrore të Iranit.

“Krahas goditjeve të gjera ajrore të Forcave Ajrore të Izraelit, Mossad udhëhoqi një seri operacionesh të fshehta sabotuese thellë brenda Iranit,” deklaroi zyrtari izraelit për Axios. “Këto operacione synonin dëmtimin e bazave strategjike të raketave të Iranit dhe aftësive të tij mbrojtëse ajrore.”
Ky zhvillim sugjeron se ofensiva ajrore ndaj Iranit ishte e koordinuar me operacione në terren, që kishin për qëllim çarmatosjen e kapaciteteve mbrojtëse të Teheranit dhe sigurimin e suksesit të sulmeve nga ajri. Vlerësohet se këto sabotime e bënë më të lehtë depërtimin e avionëve izraelitë drejt objektivave më të mbrojtura të regjimit iranian.