FLASH :

Çfarë ndodhi? Një kompani ajrore në SHBA mbyll papritur aktivitetin

Silver Airways, një kompani ajrore me bazë në Florida, ka ndërprerë të gjitha fluturimet duke lënë pas udhëtarë të habitur dhe të zemëruar. Lajmi u konfirmua më 11 qershor përmes një njoftimi në Instagram, ku kompania deklaroi zyrtarisht mbylljen e operacioneve.

“Me keqardhje ju informojmë se duke nisur nga sot, më 11 qershor 2025, po ndërpresim aktivitetin tonë,” thuhet në postim. Kompania shpjegoi se kishte hyrë në një proces ristrukturimi përmes falimentimit dhe kishte planifikuar të shiste asetet te një tjetër grup ajror, i cili më pas vendosi të mos vazhdojë operimet në Florida, Bahamas dhe Karaibe.

Pasagjerëve u është kërkuar të mos shkojnë në aeroport dhe të kërkojnë rimbursim përmes kartës së kreditit ose agjencisë së udhëtimeve.

Silver Airways operonte nga Fort Lauderdale dhe mbulonte qytete si Tampa, Key West, Tallahassee dhe Pensacola, si dhe destinacione ndërkombëtare si Bahamas dhe Karaibe. Me një flotë moderne dhe sloganin “Fly in style, not in a squeeze”, kompania ishte e njohur për fluturimet pa vend të mesëm.

Në fund të vitit 2024, Silver Airways kishte njoftuar se do të futej në proces falimentimi përmes Kapitullit 11 me qëllimin për t’u rikthyer më e fortë. Megjithatë, pas 13 vitesh operimi, ajo i jep fund historisë së saj duke falënderuar udhëtarët për kujtimet dhe udhëtimet e përbashkëta.