Tre nga burrat më të fuqishëm të Iranit janë vrarë gjatë operacionit të paprecedentë ajror të Izraelit të quajtur “Luanit në ngritje” (Operation Rising Lion), që kishte në shënjestër udhëheqjen ushtarake dhe bërthamore të Teheranit. Viktimat përfshijnë gjeneralin më të lartë të ushtrisë, komandantin e Gardës Revolucionare dhe një ish-kryetar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Vdekja e tyre pritet të tronditë thellë strukturat e sigurisë iraniane dhe të dëmtojë seriozisht aftësinë e vendit për t’i kundërpërgjigjur sulmeve të Izraelit. Më poshtë janë detajet për secilin prej tyre:
Gjeneralmajor Hossein Salami – Komandanti i Gardës Revolucionare
Gjeneralmajor Hossein Salami, komandant i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), ishte një nga figurat më të fuqishme në Iran, duke komandoar strukturën më të fortë ushtarake të vendit dhe raportonte drejtpërdrejt tek udhëheqësi suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
I lindur në vitin 1960, Salami mori drejtimin e Gardës më 2019. Nën udhëheqjen e tij, IRGC u përfshi thellësisht në shtypjen e protestave të brendshme dhe në projektimin e ndikimit iranian përmes një rrjeti të gjerë milicish rajonale, që përfshijnë edhe sulme ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.
IRGC besohet gjithashtu të ketë pajisur dhe mbështetur rebelët Houthi në Jemen, të cilët kanë kryer sulme ndaj transportit ndërkombëtar në Detin e Kuq dhe kanë lëshuar raketa e dronë drejt Izraelit.
Salami drejtoi IRGC gjatë sulmeve me qindra dronë dhe raketa ndaj Izraelit në prill dhe tetor të vitit të kaluar – herët e para që Irani goditi drejtpërdrejt territorin izraelit.
Në janar, ai u shfaq në mediat shtetërore duke inspektuar një kompleks të nëndheshëm ushtarak që thuhet se kishte rol kyç në ato sulme. I veshur me uniformë ushtarake dhe me mjekër të shkurtër, Salami ecte mbi flamujt e SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa raportohej se baza prodhonte “raketa speciale të reja”.
Salami ishte në detyrë edhe kur IRGC rrëzoi një avion pasagjerësh ukrainas në vitin 2020, ku humbën jetën të 176 pasagjerët në bord. Për këtë ngjarje, një komandant i paidentifikuar i IRGC u dënua me 13 vjet burg.
Sipas analistes së sigurisë në CNN, Beth Sanner, vrasja e Salamit është e krahasueshme me “eleminimin e shefit të shtabit të ushtrisë amerikane”.
Gjeneralmajor Mohammad Bagheri – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
Që nga viti 2016, Mohammad Bagheri ka shërbyer si shefi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura iraniane, një strukturë që përfshin mbi 500,000 efektivë aktivë.
Sipas dokumenteve të Thesarit Amerikan, Shtabi i Përgjithshëm është “trupi më i lartë ushtarak në Iran, që zbaton politikat dhe koordinon aktivitetet e të gjitha forcave të armatosura”.
Bagheri u sanksionua në vitin 2019 së bashku me nëntë figura të tjera të afërta me Ayatollah Khamenein, nën akuzën për shtypje të popullit iranian, mbështetje të terrorizmit dhe politika destabilizuese.
Fotografi të publikuara nga agjencia iraniane Tasnim e tregojnë atë në takime me trupat iraniane në Siri në vitin 2017.
Në prill 2024, ai u takua në Teheran me ministrin saudit të Mbrojtjes, princin Khalid bin Salman Al Saud – një vizitë e rrallë nga një figurë e lartë saudite. Gjatë këtij takimi, sipas Reuters, Bagheri mori një paralajmërim për të marrë seriozisht ofertën e presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje bërthamore, në mënyrë që të shmangej rreziku i luftës me Izraelin.
Ali Shamkhani – Ish-shefi i Sigurisë Kombëtare dhe diplomat i lartë
Ali Shamkhani ishte një nga këshilltarët më të afërt të udhëheqësit suprem iranian dhe kishte një rol të rëndësishëm në përpjekjet diplomatike të Iranit për t’u hapur ndaj fqinjëve rajonalë dhe Perëndimit.
Televizioni shtetëror iranian IRINN konfirmoi vdekjen e tij pas sulmeve izraelite të së premtes.
Shamkhani ka shërbyer si sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare për një dekadë (2013–2023) dhe më parë ka mbajtur poste kyçe si në Gardën Revolucionare, ashtu edhe në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ai ishte figura kyçe iraniane në bisedimet e ndërmjetësuara nga Kina me Arabinë Saudite, të cilat çuan në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy rivalëve historikë.
Shamkhani, megjithëse u zëvendësua papritur në mes të vitit 2023, mbeti një këshilltar i besuar i Khameneit. Ai ishte i njohur në qarqet diplomatike në Uashington dhe Europë, dhe luajti rol edhe në bisedimet bërthamore me administratën Trump.
Pak para bisedimeve të prillit me SHBA-në, ai kishte paralajmëruar se Irani mund të dëbojë inspektorët e OKB-së dhe të ndërpresë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike nëse do të ndjehej i kërcënuar.