FLASH :

Gonxhe lëshon dorën me kreditë e buta në Tiranë/ Harron që është minister, vepron për karrigen e kryebashkiakut

Blendi Gonxhja, i cili ende mban zyrtarisht postin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duket se po ngatërron zyrën e tij me atë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Pas miratimit të 1200 kredive të buta nga Këshilli Bashkiak, Gonxhja njoftoi me entuziazëm se MEKI po planifikon një raund të ri aplikimesh për strehim në kryeqytet.

Sipas tij, qytetarët që nuk u përfshinë në fazën e parë, për shkak të dokumentacionit të paplotë, do të kenë një mundësi të dytë. Dhe jo vetëm kaq: përfituesit do të kenë mbështetje nga MEKI gjatë gjithë kohëzgjatjes së kredisë një mbështetje që tradicionalisht do të pritej të vinte nga Bashkia.
“Mbështetja vazhdon! Strehimi Social është një prioritet”, tha Gonxhja, duke përdorur një gjuhë që i shkon më shumë një kandidati për bashki se sa një ministri.

Nisma e tij ngre pikëpyetje jo vetëm mbi kompetencat institucionale, por edhe mbi ambiciet e reja politike që dukshëm nuk i fshihen më askujt. Gonxhja duket i vendosur të zbresë në Tiranë, qoftë edhe duke përdorur kartën e kredive të buta si biletë hyrëse në garën për karrigen e Veliajt.