FLASH :

Prezantohet zyrtarisht Android 16

Android 16 sapo u prezantua zyrtarisht dhe do të vijë si fillim në pajisjet Pixel, duke sjellë funksionalitetin e ri Live Updates, i ngjashëm me “Live Activities” të iPhone. Kjo veçori u mundëson përdoruesve të ndjekin në kohë reale progresin e udhëtimeve me taksi apo porosive ushqimore, përmes njoftimeve të vazhdueshme dhe të dukshme në ekran.

Google filloi punën për këtë veçori vitin e kaluar dhe e prezantoi në versionin beta në janar. Në të ardhmen pritet që Live Updates të zgjerohet edhe në aplikacione të tjera si Google Maps për navigim. Në pajisjet Samsung, kjo veçori do të shfaqet në Now Bar, ndërsa në telefonat Oppo dhe OnePlus si Live Alerts. Megjithatë, Google thekson se funksioni nuk është ende i plotësuar dhe do të zhvillohet më tej me përditësime të ardhshme.

Android 16 sjell gjithashtu disa përmirësime të tjera, si:

Menaxhim më i mirë i njoftimeve, duke i grupuar automatikisht ato nga i njëjti aplikacion.
Opsione të avancuara për përdoruesit me aparate dëgjimi, përfshirë kontroll të volumit dhe zgjedhjen e mikrofonit për thirrje.
Advanced Protection, një sistem sigurie që mbron përdoruesit nga aplikacione të rrezikshme dhe sulme online.
Një përvojë të ngjashme me DeX për desktop, që tani është në testim për zhvilluesit.
Përmirësime në aplikacionet Google, si vendosja e ikonave për grup-chat-et në Google Messages, editor i ri në Google Photos dhe menaxhim më i mirë për Google Home me shkurtore të reja për pajisje smart.
Në Wear OS, përdoruesit do të mund të përdorin karta të transportit publik pa hapur aplikacionin Google Wallet.

Android 16 do të shpërndahet fillimisht për Pixel, ndërsa më vonë do të pasojë përditësimi me dizajnin Material 3 Expressive.