FLASH :

Tragjedi në Ishullin e Wight: Çifti vdes me dy qentë pasi makina bie 90 metra nga shkëmbi

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Ishullin e Wight në Mbretërinë e Bashkuar, ku një çift bashkë me dy qentë e tyre kanë humbur jetën pasi makina e tyre ra nga një lartësi prej 90 metrash në afërsi të pikës turistike “The Needles”.

Viktimat janë identifikuar si John dhe Lynn King, të dy në të 70-at, të cilët jetonin në qytetin Cowes. Sipas fqinjëve, John ishte shofer autobusi dhe njihte mirë rrugët e ishullit, ndërsa bashkëshortja e tij ishte në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore dhe prej dy vitesh mezi dilte nga shtëpia. Ata udhëtonin gjithnjë me dy qentë e racës dachshund, që humbën gjithashtu jetën në aksident.

Fqinjët dyshojnë se ngjarja mund të ketë qenë e planifikuar. “Ai e ndihmonte bashkëshorten për të hipur në makinë, sepse nuk ecte dot vetë. Të premten pasdite i pashë për herë të fundit. Ishte shumë e rrallë ta shihje atë jashtë. Ajo dukej shumë e dobët, e përkulur dhe mezi lëvizte. Të nesërmen, nuk u kthyen më,” rrëfeu një fqinje për MailOnline.

Makina e tyre, një Ford Mondeo ngjyrë argjendi, doli nga rruga Alum Bay New Road dhe përfundoi në ujë, pranë formacioneve të famshme shkëmbore “The Needles”. Fotot nga vendngjarja tregojnë makinën të fundosur pjesërisht në det, ndërsa policia, zjarrfikësit, ambulanca dhe roja bregdetare punuan për orë të tëra për të nxjerrë trupat.

Njëri nga dëshmitarët tha se pa momentin kur një burrë u nxor nga rrënojat dhe iu dha ndihma e parë. Autoritetet konfirmuan se të dy viktimat vdiqën në vendngjarje, ndërsa janë njoftuar të afërmit e tyre dhe është caktuar një autopsi për datën 10 qershor.

Ndërkohë, policia po zhvillon hetime në banesën e çiftit në rrugën Arctic Road në Cowes, për të zbuluar shkaqet e incidentit. Shkëmbi ku ndodhi tragjedia ndodhet pranë një prej atraksioneve më të njohura turistike të ishullit, me pamje mahnitëse drejt “The Needles”. Për shkak të ngjarjes, zona u mbyll për vizitorët gjatë fundjavës, përfshirë kullën e vrojtimit, plazhin dhe fortesën e vjetër “Needles Battery”.

Ngjarja ka shkaktuar pikëllim të thellë në komunitet, ku çifti përshkruhet si i heshtur, por shumë i përkushtuar ndaj njëri-tjetrit. “John ishte njeri i mirë, i përkushtuar plotësisht te gruaja e tij. Nuk i pamë më që nga ajo pasdite e premte. Ishte si të kishin vendosur gjithçka,” tha një tjetër fqinj.